Publisher: Cve.gov.al 08/04/2024
Publisher: Cve.gov.al 08/04/2024
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në bashkëpunimin me Institutin për Aktivizëm dhe Ndryshim organizuan në Akademinë e Sigurisë ceremoninë e certifikimit të oficerëve të rinj të sigurisë në shkolla mbi trajnimin e marrë në kuadër të programit “Për identifikimin e shenjave të para të ekstremizmit të dhunshëm nga oficerët e sigurisë në shkolla”. Ky program po zbatohet nga Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshim në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Deri më tani janë trajnuar 203 oficerë të sigurisë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, përmes njoftimeve të çdo DPAP/ZVA – nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Për këtë qëllim është përgatitur një Manual për përdorim nga oficerët e sigurisë në shkolla. E gjithë struktura e profesionistëve të oficerëve të sigurisë në shkolla është trajnuar në ditë të plota trajnimesh me një program mësimor të përgatitur nga ekspertë të lartë të Qendrës se Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Policisë së Shtetit, Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, eksperteve të sigurisë etj. Çdo sesion trajnimi u pasua me testimin e njohurive të marrë në trajnim.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Koordinator Kombëtar, znj. Lejdi Dervishi, Rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit znj. Iva Beliu Ademi, përfaqësues të prezencës së OSBE-së në Tiranë, shoqërisë civile dhe medias, etj.
Qasja teorike në trajnime është shoqëruar me prezantimin e rasteve konkrete dhe diskutimin e tyre nga vetë pjesëmarrësit. Pas çdo trajnimi është përpiluar raport, gjetjet dhe rekomandimet e të cilit janë dakordësuar nga të gjithë aktorët e pranishëm në bashkëpunim me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Policinë e Shtetit, Akademinë e Sigurisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtori i Qendrës znj. Lejdi Dervishi theksoi rolin e oficerit të sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri si një hallkë shumë e rëndësishme në identifikimin dhe parandalimin e rasteve të shfaqjes së radikalizmt dhe ekstremizmit të dhunshëm në ambientet akademike. Në rolin e saj koordinues kombëtar, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm i ka kushtuar rëndësi specifike qasjes multi-sektorale për çdo shqetësim apo rast të raportuar.
Ky program u mbështet financiarisht nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, gjithashtu partneritet dhe mbështetje e çmuar ka qene ajo e Prezencës së OSBE-së në Tiranë.