Aktivitet prezantues për fushatat e shpërndarjes së mesazheve nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri

Shqipëria numëron arritje të rëndësishme në qasjet parandaluese kundër ekstremizmit të dhunshëm (P/CVE), duke koordinuar qasje gjithëpërfshirëse dhe veprime konkrete në nivel qendror dhe vendor.
30/09/2025
Konferenca Kombëtare “Rikujtimi i Rezolutave 1325 & 2242 të Këshillit të Sigurimit të OKB: Roli i Grave, të Rinjve dhe Këshillave Vendore të Sigurisë në Ndërtimin e Sigurisë në Komunitet dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.
30/10/2025

Aktivitet prezantues për fushatat e shpërndarjes së mesazheve nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri

Aktivitet prezantues për fushatat e shpërndarjes së mesazheve nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri

Publisher: Cve.gov.al 18/10/2025

Më 17 tetor 2025, u zhvillua aktiviteti prezantues i katër fushatave të komunikimit të realizuara nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”. Ky projekt koordinohet nga Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në partneritet me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Hedayah, me mbështetjen e Programit të Bashkimit Evropian (BE-STRIVE II).

Në hapje të aktivitetit, të pranishmit u përshëndetën nga Lejdi Dervishi, Koordinatore Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Davide Casale, përfaqësues i Bashkimit Evropian, prof. asoc. dr. Genti Kruja nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) dhe Irene Belmonte, menaxhere e Programit të Bashkimit Evropian (BE) për Forcimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm (STRIVE në nivel global), Hedayah.

Të gjithë pjesëmarrësit theksuan rëndësinë jetike të dialogut ndërfetar si një mjet për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe bashkëjetese mes komuniteteve të ndryshme fetare. Ata nënvizuan nevojën për fuqizimin e udhëheqësve fetarë si zëra të paqes, tolerancës dhe stabilitetit social, duke i trajnuar dhe përgatitur ata që të luajnë një rol aktiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. U vlerësua se përmes edukimit fetar të drejtë, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes së komuniteteve, mund të krijohen mjedise më të sigurta, më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente ndaj ideologjive përçarëse dhe radikale.

Znj. Dervishi u shpreh në fjalën e saj se, ky është një moment domethënës në përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar reziliencën ndaj ekstremizmit të dhunshëm në vendin tone. Ajo vuri theksin tek prezantimi i 4 produkteve mediatike, të cilat nënvizoi se janë rezultatet konkrete të një procesi intensiv dhe gjithëpërfshirës, ku liderët fetar, përfaqësues të komuniteteve dhe të rinjtë kanë bashkuar forcat për të ndërtuar mesazhe pozitive, gjithpërfshirëse dhe të fuqishme.

Gjithashtu ajo nënvizoi se, vetëm përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkomunitar mund të ndërtojmë një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht për brezat e rinj.

Ndërsa, Davide Casale, përfaqësues i Bashkimit Evropian theksoi në fjalën e tij se, Shqipëria është një vend i veçantë sa i përket harmonisë që ekziston midis komuniteteve fetare. Ai shtoi se, kjo është një vlerë dhe diçka e rrallë në këto ditë. “Shqipëria duhet të jetë krenare për këto arritje dhe njëherësh e motivuar për të vijuar në këtë drejtim”, nënvizoi Casale.

Në vijim, u prezantua edhe plani i shpërndarjes së fushatave, që do të transmetohen në media dhe rrjete sociale gjatë gjashtë javëve në vijim. Gjithashtu, pjesëmarrësit dhanë kontributin e tyre në vlerësimin e cilësisë së realizimit të fushatave, ndërsa përfaqësues të AMA-s theksuan rëndësinë e ruajtjes së privatësisë dhe shmangien e përmbajtjeve apo sekuencave që mund të kenë ndikim negativ te publiku.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të udhëheqësve fetarë dhe të komunitetit si zëra pozitivë në ndërtimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe promovimit të bashkëjetesës në shoqërinë shqiptare.