Publisher: Cve.gov.al 27/11/2023
Publisher: Cve.gov.al 27/11/2023
Romë – Drejtori i Qendrës Kundër Ektremizmit të Dhunshëm, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për CVE, Denion Meidani, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Zëvendës Koordinator Kombëtar i CVE, si dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me mbështetjen e OSBE, morën pjesë në një vizitë studimore në Shtabin e Administratës së Burgjeve në Itali. Qëllimi i kësaj vizite studimore është “Parandalimi dhe Luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm në Burgje”.
Vizita u zhvillua me ftesë nga projekti EuroPris i financuar nga BE dhe e mbështetur nga Prezenca e OSBE në Shqipëri, dhe shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht brenda sistemit të burgjeve.
Dita e parë e vizitës nisi me fjalën e mirëseardhjes nga Magjistrati Giovanni Russo, Kryetar i Departamentit të Administrimit të Burgjeve, dhe Gustav Tallving, Drejtori Ekzekutiv i EuroPris. Më tej u zhvilluan seanca diskutimesh, përfshirë njohuri mbi mësimet më të rëndësishme të nxjerra nga një dekadë me rrjetin “RAN PRISONS”, përvoja belge mbi Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ektremizmit të Dhunshëm (P/CVE) në burgje, dhe një diskutim i panelit mbi mësimet e nxjerra nga P/CVE në burgje në Itali dhe vende të ndryshme të Europës.
Vizita studimore vijoi me seanca mbi vlerësimin e rrezikut, bashkëpunimin ndërinstitucional, rehabilitimin dhe regjimet e trajtimit në sistemin e burgjeve.
Gjithashtu pati diskutime në tryeza të rrumbullakëta dhe seanca të analizimit të rekomandimeve të diskutimeve, duke ofruar një platformë interaktive për pjesëmarrësit. U prezantua nga paneli gjithashtu dhe modeli italian i “Fusion Center” , Komiteti i Analizave Strategjike të Antiterrorit (C.A.S.A). Gjatë prezantimit, u shpjegua mënyra e operimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional i C.A.S.A në luftën kundër terrorizmit dhe ektremizmit. Drejtori i Operacioneve të Antiterrorit pranë C.A.S.A, Z. Arturo Varriale theksoi se krijimi i C.A.S.A në Itali, solli një revolucion institucional për bashkëpunimin dinamik në fushën e sigurisë për parandalimin e akteve terroriste, dhe jo vetëm. Gjithashtu, Virriale shpjegoi dhe mënyrën e koordinimit ndërinstitucional dhë shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit në trajtimin e personave që vuajnë dënimin për vepra penale të terrorizmit dhe ekstremizmit që nga analizimi i riskut në momentin e hyrjes së të dënuarit në sistemin penitenciar, monitorimi gjatë qëndrimit në sistem, dhe mekanizmi i paralirimit ku të gjithe aktorët e përfshirë njihen me individin që lë sistemin penitenciar dhe vijon procesin e risocializimit në komunitet.
Drejtor Meidani, në diskutimet e tij, shprehu falënderime për EuroPris për organizimin e këtij formati takimi të rëndësishëm si dhe falënderoi në vecanti autoritetet Italiane për mikpritjen. Ai diskutoi mbi risitë dhe inciativat e ndërmarra nga CVE si dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në luftën globale kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht brenda sistemit të burgjeve.
Vizita dhe diskutimet nënvizuan vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në adresimin e këtyre sfidave globale të sigurisë. Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në këtë vizitë dy ditore në Romë, jo vetëm që është një dëshmi e angazhimit të përbashkët në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, por gjithashtu reflekton nevojën në rritje për një qasje bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse në këtë luftë.