Drejtori i CVE, Meidani në takimin rajonal për “Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Rritjen e Ndërgjegjësimit te të Rinjtë”

“Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm përforcon bashkëpunimin rajonal në mbrojtjen e infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor”
25/10/2023
Raport KSHH Shqiperia dhe praktika te tjera te rajonit
31/10/2023

Drejtori i CVE, Meidani në takimin rajonal për “Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Rritjen e Ndërgjegjësimit te të Rinjtë”

Drejtori i CVE, Meidani në takimin rajonal për “Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Rritjen e Ndërgjegjësimit te të Rinjtë”

Publisher: Cve.gov.al 27/10/2023

Në një periudhë kur sfidat e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit bëhen gjithnjë e më shqetësuese në shkallë globale, përpjekjet për të promovuar dialogun ndërfetar dhe rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve janë më të rëndësishme se kurrë. Një dëshmi e këtij angazhimi është vizita e një delegacioni nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në Kolegjin Universitar “Bedër” në Shqipëri, një institucion që po bën hapa të sigurtë në fushën e dialogut, bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.

Në këtë aktivitet mori pjesë dhe Drejtori i Qendrës Kundër ekstremizmit të Dhunshëm, Denion Meidani, njëkohësisht dhe Koordinator Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri.

Gjatë diskutimeve ai vuri theksin në promovimin e qëndrueshmërisë sociale dhe tolerancës ndërfetare, veçanërisht mes brezave të rinj. Të pranishëm gjatë këtij takimi ishin gjithashtu përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve qeveritare, botës akademike dhe shoqërisë civile si Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. Dr. Gjergji Sinani, ZëvendësKoordinatori për Ektremizmizmin e Dhunshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xheladin Ajvaziti, Lektor në Departamentin e Shkencave Islame në KU “Bedër” Prof. Hysni Skura, Kryetari i Bordit të Administrimit në “Bedër” Dr. Ali Zaimi, etj cilët shkëmbyen përvoja dhe njohuri në një seri takimesh frytdhënëse.

Aktiviteti filloi me fjalën e mirëseardhjes nga Prof. Dr. Gjergji Sinani, Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, i cili theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar si një prej shtyllave kryesore të institucionit që ai drejton.

Meidani cilësoi se “promovimi i mësimeve fetare të perceptuara si të moderuara nuk është thjesht një mjet, por një detyrim, është thelbi i betejës sonë për t’i dhënë fund radikalizmit dhe mbjelljen e farës së paqes, që mishëron fenerin e shpresës mes errësirës së ekstremizmit”.

“Unë besoj se ka ardhur koha që të nisim një fushatë gjithë-përfshirëse që përkrah moderimin fetar, duke ecur paralelisht me nismat tona aktuale në vazhdim. Le ta përkufizojmë moderimin fetar si artin e shmangies së ekstremeve në praktikimin dhe interpretimin e besimit tonë, një praktikë që harmonizon praktikën e devotshme fetare me respektin për besimet e të tjerëve dhe kuadrin ligjor të shoqërisë sonë. Nëpërmjet përpjekjeve kolektive për të promovuar moderimin, ne synojmë të mbrojmë individët nga joshja e fanatizmit dhe ideologjive revolucionare. Moderimi fetar, është çelësi për të ushqyer tolerancën dhe paqen, veçanërisht në shoqërinë tonë të larmishme dhe multikulturore”, tha ndër të tjera, z. Meidani

Delegacioni nga Maqedonia e Veriut shprehu vlerësimin për punën e bërë dhe e cilësuan modelin shqiptar si model suksesi për rajonin, duke pohuar se Shqipëria demonstron se bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare janë të mundshme edhe në një botë të ndarë nga konfliktet. Ky vlerësim vjen si një pasqyrë e suksesit të politikave dhe iniciativave të ndërmarra në këtë drejtim.

Në mbyllje të vizitës, u konfirmua angazhimi për të thelluar bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes institucioneve të të dy vendeve. Ky bashkëpunim ndërqeveritar dhe shoqëror shënon një hap të rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe si një model rajonal që mund të ndihmojë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe përtej