Publisher: Cve.gov.al 06/06/2024
Publisher: Cve.gov.al 06/06/2024
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm mori pjesë në trajnimin interaktiv dy ditor, të organizuar nga Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale të OSBE– The Organization for Security and Co-operation in Europe, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ku fokusi ishte tek edukimi mediatik dhe informativ në kontekstin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm: Adresimi i sfidave në “çrregullimin informativë” dixhital.
Fjalën përshëndetëse në këtë takim e mbajtën, Zv. Ministri i Brendshëm z. Besfort Lamallari, i cili theksin e vuri te nevoja për një strategji të unifikuar komunikimi dhe masa rregullatore. Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën Koordinatori Kombëtar/ Drejtor i QKEDH, znj. Lejdi Dervishi, z. Fejzo Numanaj, Zv. Drejtor i Njësisë së Veprimit kundër Terrorizmit, Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale të Sekretariatit të OSBE-së në Vjenë si edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Michel Tarran.
Programi i trajnimit u projektua duke pasur parasysh një gamë të gjerë aktorësh, duke përfshirë politikëbërës, zyrtarë qeveritarë në nivele lokale, rajonale dhe kombëtare, si dhe nga sektorët e sigurisë dhe arsimit. Për më tepër, programi përfshinte organizata të shoqërisë civile që punojnë për P/CVERLT dhe të drejtat e njeriut, si dhe ekspertë nga sektori privat dhe media, për të trajtuar çështjet e ngutshme të dezinformimit, keqinformimit dhe informacionit të dëmshëm në fushën dixhitale.
Aktorët që morën pjesë në trajnim reflektuan mbi rolet e tyre aktuale në adresimin e sfidave të krijuara nga një mjedis informacioni kaotik, i paqartë si dhe promovimin e edukimit për mediat/ informacionin, veçanërisht në kontekstin e P/CVERLT.
Ky trajnim synoi të ndërtojë qëndrueshmëri kundër sfidave që vijnë nga çrregullimi i informacionit online dhe mesazhet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm online.
Shprehim mirënjohje për mbështetjen e OSBE-së për të promovuar një mjedis digjital të sigurt dhe gjithëpërfshirës, për të rritur kohezionin social dhe për të siguruar qasje të orientuara nga komuniteti dhe të përqendruara në të drejtat e njeriut në përpjekjet për P/CVERLT.