Publisher: Cve.gov.al 18/03/2024
Publisher: Cve.gov.al 18/03/2024
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën P/KEDH, dhe shkëmbimit të eksperiencave me vendet e rajonit, priti në datat 13- 15 Mars 2024, zyrtarë të lartë të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve të profesionistëve në vijën e parë për ndërhyrje në rehabilitim, riintegrim dhe risocializim”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe implementuar nga Pleiades Organization, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë vizitë, Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm znj. Lejdi Dervishi njëkohësisht dhe Koordinator Kombëtar priti homologun Z. Zlatko Apostoloski në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizimit në Maqedoninë e Veriut, si dhe disa zyrtarë të lartë të institucioneve të sigurisë, përfaqësues të Departamentit të Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut të përfshirë në këtë fushë.
Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencës së institucioneve të Republikës së Shqipërisë në mbështetjen e proceseve R&R si një praktikë model për vendet e rajonit fokusuar tek mekanizmat e ngritur në nivel kombëtar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Rrjeti i Mësuesve Koordinator si dhe rrjeti i Oficerëve të Sigurisë në Shkolla.
Znj. Lejdi Dervshi, gjatë takimit të zhvilluar me homologun e Maqedonisë së Veriut, z. Zlatko Apostoloski theksuan rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe çdo lloj veprimtarie të lidhur me të.
Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues të Maqedonisë së Veriut nga Komiteti Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Kundër Terrorizmit të Maqedonisë së Veriut, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale, Agjencia për Siguri Kombëtare, Qendra për Punë Sociale, Komunat e përfshira dhe Ambasada e Holanda në Maqedoninë e Veriut.
Në ditën e parë të vizitës, datë 13 Mars, u zhvillua një takim ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të sigurisë së Shqipërisë dhe atyre të Maqedonisë se Veriut, ku pjesë ishin përfaqësues nga Drejtoria e Drejtorisë së Antiterrorit si dhe përfaqësues të Shërbimit Informativ, ku u diskutuan çështje me rendësi të veçantë për sigurinë e të dy vendeve në fjalë dhe atyre në rajon. Gjithashtu në këtë takim Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm parashtroi një pasqyrë të përgjithshme mbi punën në fushën e parandalimit dhe proceseve R&R.
Pjesë e vizitës ishte edhe takimi me organizatat e shoqërisë civile që mbështesin proceset R&R që po zbatohen në Shqipëri. Në datën 14 Mars u zhvillua takim me organizatën Terres de Homme, ku delegacioni i Maqedonisë së Veriut u njohën me mënyrën e bashkëpunimit dhe koordinimit që bëhet për implementimin e programeve që mbulojnë fushën e P/KEDH.
Në vijim të agjendës, datë 15 Mars, u mbajt konferenca në funksion të kësaj vizite duke u fokusuar në domosdoshmërinë që fëmijët e kthyer të kenë një plan edukativ të individualizuar, duke krijuar një rrjedhë informacioni hierarkik dhe një mekanizëm raportues për të gjitha palët e interesuara në menaxhimin e rasteve. Kjo konference u fokusua në ngritjen e kapaciteteve dhe njohjen e nevojës për plane edukative të individualizuara për fëmijët e kthyer ku ekspertë dhe institucione nga të dy vendet ndanë njohuritë dhe përvojën e tyre. Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkia Tiranë dhe Organizata të Shoqërisë Civile. Gjatë konferencës institucionet e Maqedonisë së Veriut u njohën me mekanizmat e referimit që ka ngritur Ministria e Arsimit dhe Sportit për fushën e P/KEDH (Rrjeti i Mësuesve Koordinator, Oficerët e Sigurisë në Shkolla), qëllimi dhe hartimi i planeve mësimore individuale për fëmijët e integruar në shkollë, kuadri ligjor në fuqi, mbështetja e pushtetit lokal në zbatimin e planeve të riintegrimit, zhvillimi i Programit Mësimor Individual nga mësuesit mbështetës dhe mbështetja psikologjike specifike ofruar për fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit. Në mbyllje të kësaj vizite studimore treditore, palët theksuan angazhimin për vazhdimin dhe përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.