Zv. Ministrja Kuko dhe Drejtori i CVE Meiani në konferencën “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”

Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në programin e rrjetit të Qytete të Forta, Sarajevë, Bosnjë & Hercegovinë organizuar nga “Rrjeti rajonal i Ballkanit Perëndimor”
20/02/2023
Bullgari/Parandalimi dhe lufta kundër radikalizimit në Ballkan, Evropën Jugore&Lindore: Qasja holistike zbatuar në kuadër të programit HOPE
24/02/2023

Zv. Ministrja Kuko dhe Drejtori i CVE Meiani në konferencën “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”

Zv. Ministrja Kuko dhe Drejtori i CVE Meiani në konferencën "Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”

Publisher: Cve.gov.al            20/02/2023

Më datë 15 Shkurt 2023 u organizua në Tiranë konferenca për vlerësimin e impaktit të projekteve me temë “Angazhimi i të rinjve për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i përfaqësuar nga Kryetari i saj H. Bujar Spahiu, projekte këto me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë e përfaqësuar nga Zv. Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. Demian Smith ku morën pjesë në panelin drejtues zv.Ministrja e Brendshme znj. Romina Kuko, Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm z. Denion Meidani, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, me pjesëmarrjen të gjerë nga komuniteti mysliman, myftinj, imamë, organizata, shoqëri civile, studentë, të rinj të ndryshëm, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu u ndal në qëndrimet e KMSH-së dhe punën konkrete që është bërë vit pas viti për parandalimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm në shoqërinë tonë.

“Si çdo vend tjetër evropian edhe Shqipëria është prekur nga fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë kuadër, dua të theksoj se ne ishim të parët që në mënyrë institucionale kemi ndërmarrë hapa konkretë. Qysh prej vitit 2014 e deri në ditët e sotme, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me mbështetjen dhe në partneritet me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, kemi implementuar 6 projekte në luftën kundër ekstremizmit, duke punuar me mijëra të rinj në të gjithë vendin për të sqaruar këtë fenomen i cili bie ndesh me principet e fesë islame dhe me etikën shoqërore demokratike.”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Zëvendës Ambasadori Amerikan në Tiranë, z. Smith, u shpreh falënderues për bashkëpunimin e frytshëm që ka karakterizuar të dy institucionet në implementimin e këtij projekti ndër vite. Ai vlerësoi arritjet e grupit të punës në zhvillimin e qindra aktiviteteve edukuese, kulturore e sociale me të rinj nga i gjithë vendi.

Sesioni hapës vijoi më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komitetit të Kulteve, z. Bulku, i cili përgëzoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për punën konkrete të bërë në aspektin e edukimit të grupeve të ndryshme të interesit kundër instrumentalizimit të fesë për qëllime të ndryshme.

Për të vijuar më pas me Zëvendësministren e Brendshme, znj. Kuko, e cila hodhi dritë mbi mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve vendore e lokale për implementimin e këtyre projekteve.

Ky sesion u mbyll me fjalën e Drejtorit të Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), z. Meidani, i cili ndau me të pranishmit një rezyme të shkurtër mbi zhvillimin e ekstremizmit të dhunshëm si fenomen në vendin tonë, masat e ndërmarra kundër tij dhe aktualitetin e sotëm.

Institucionet shtetërore i kanë kushtuar dhe do të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë sfidave te komuniteteve fetare, përfshirë dhe financimin e komuniteteve fetare, që kryhet çdo vit në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Në këtë kuadër, edhe Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri ka synuar të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin me komunitetet fetare në vend, si një nevojë e domosdoshmëri për të ofruar më shumë siguri e harmoni për shoqërinë shqiptarë-tha ndër te tjera Z. Meidani

Si drejtues i saj, shpreh gatishmërinë e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri për të mbështetur e çuar përpara përpjekjet e përbashkëta midis institucioneve tona. Duke qenë i vetëdijshëm për punët që kemi realizuar së bashku në të kaluarën, jam gjithashtu i vetëdijshëm për nevojat e prioritetet që na presin në punën tonë të mëtejshme. Puna me të kthyerit, me të rinjtë, puna në sferën virtuale si dhe puna me komunitetet e largëta në Shqipëri, janë disa pika që kanë nevojë për sinergji e ndërhyrje të përbashkëta.

Paralelisht, ne duhet që të punojmë së bashku edhe kërkohet dhe kontributi i liderëve fetarë por dhe te rinjve të angazhuar për të trajtuar forma të tjera të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri, të cilat sipas sondazheve dhe studimeve po bëhen jo pak shqetësuese e kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse ku pjesë duhet të jetë dhe ngritja e një platformë për mirësi e tolerancë siç e gjejmë dhe në mësimet fetare, shtoi me tepër Meidani.

Punimet e kësaj konference u zhvilluan më tej në sesionin e dytë dhe të tretë të saj. Sesione në të cilat u analizua ecuria e projekteve, u analizua gjithashtu impakti i tyre në të gjitha ato kategori sociale që u bënë pjesë, u ndanë eksperienca personale nga pjesëmarrja në këto projekte, etj.