Publisher: Cve.gov.al 09/06/2021
Publisher: Cve.gov.al 09/06/2021
Drejtor i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri, Znj. Dervishi ishte e ftuar në takimin e nivelit të lartë rajonal, së bashku me homologët e saj nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, organizuar nga GCERF (Global Community Engagement and Resilience Fund) për të diskutuar mbi rehabilitimin dhe ri-integrimin e ish-luftëtarëve të huaj terroristë (ish LHT) dhe familjet e tyre të kthyera nga zonat e konfliktit në Siri dhe Iraq (returnees).
Në takim morën pjesë përfaqësues të GCERF, koordinatorët e CVE-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, donatorë dhe organizata të shoqërisë civile të këtyre tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.
GCERF, bëri një prezantim të shkurtër të elementeve kryesore në fokus si: shkëmbimi i eksperiencave të mira, ndërtimi i strukturave dhe kapaciteteve, ekspertiza, komunikimi, promovimi i ndryshimit, etj. Kjo frymë ndryshimi e prezantuar nga GCERF do të përcillet përmes programeve të financuara prej kësaj organizate, të cilat do të implementohen nga organizata të shoqërisë civile, si Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV), Terre des Hommes (TDH).
Znj. Dervishi, në fjalën e saj, theksoi rritjen e ndërgjegjësimit për bashkëpunimin midis palëve, si një instrument i rëndësishëm për të arritur rezultate pozitive.
Për më tepër, Znj. Dervishi përmendi tre elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit, të tilla si koordinimi, koha dhe fleksibiliteti ndërmjet palëve, duke e konsideruar qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve si tepër të rëndësishme në këto procese delikate që prekin sigurinë e komuniteteve dhe sigurinë kombëtare të një vendi.