NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

Konferenca “Shkolla Qendër Komunitare” për Promovimin e Modelit për një Shoqëri të Sigurt
30/09/2024

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

Publisher: Cve.gov.al            10/10/2024

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE

Në mbështetje të Ligjit nr.7961 datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”; të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i ndryshuar, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.737, datë 13.12.2017 “Për ngritjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH)”, i ndryshuar, dhe të Urdhërit nr.59, datë 1.04.2022 të Kryeministrit, për miratimin e Rregullores së Brendshme “Për organizimin dhe funksionin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), shpall 1 (një) pozicion të lirë pune, si vijon:

Specialist” në Sektorin e Koordinimit për Shoqërinë Civile dhe Sigurinë, në Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”.

Përshkrimi përgjithësues për pozicionin “Specialist” në Sektorin e Koordinimit për Shoqërinë  Civile dhe Sigurinë, në Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Kategoria 4–I është:

 

Sektori i Koordinimit për Shoqërinë Civile dhe Sigurinë ka për qëllim të tij, krijimin e kushteve të favorshme që sistemi i përkrahjes dhe përkujdesjes sociale të mbërrijë dhe të përfshijë në programet përkatëse individë dhe grupe të margjinalizuar me risk për radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm. Ky sektor ndërmerr, krijon dhe ndjek zbatimin e projekteve konkrete të lidhura me policimin në komunitet, me qëllim përfshirjen e strukturës shtetërore të policimit në komunitet, në jetën e përditshme të vetë komunitetit.

Detyrat dhe Përgjegjësitë

Specialisti i Sektorit të Koordinimit për Shoqërinë Civile dhe Sigurinë  kryen këto detyra:

  1. Ndihmon në përgatitjen e moduleve kurrikulare për sistemin arsimor, institucionet e zbatimit të ligjit, sigurisë dhe shoqërisë civile, të cilat orientohen te toleranca dhe harmonia fetare, njohja e drejtë bazave fetare në një qasje kulturore;
  2. Koordinon në hartim tekstesh dhe materialesh të tjera didaktike për shkollat, universitetet, institucionet publike, organizatat, në mbështetje të moduleve kurrikulare, që lidhen me çështjet e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
  3. Ndihmon dhe mbështet sektorin në trajnimet e stafit të institucioneve të zbatimit të ligjit, sigurisë dhe shoqërisë civile, me çështjet që kanë të bëjnë me arsimimin në fushën e tolerancës, të harmonisë fetare dhe me çështjet e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
  4. Mbështet, nxit dhe bashkërendon punën me kërkues, hulumtues të vendit për të krijuar, zhvilluar dhe përfunduar studime cilësore në fushën e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
  5. Monitoron publikime, studime dhe kërkime sipas kritereve të mirëpërcaktuara në fazën e aplikimit, të lidhura me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm;
  6. Siguron që gjetjet nga studimet të përkthehen në masa dhe veprime që targetojnë direkt dhe me efektshmëri problemin;
  7. Ndihmon në zhvillime konferencash dhe takimesh të tjera në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar me fokus çështjet e ekstremizmit të dhunshëm, për kërkues, hulumtues dhe akademikë;
  8. Koordinon me Sektorin e Koordinimit për Shoqërinë Civile dhe Sigurinë për kryerjen dhe publikimin e studimeve të përbashkëta për çështje të ekstremizmit të dhunshëm dhe anasjelltas;
  9. Në mbështetje të Shefit të Sektorit, drejton Rrjetin e Policimit në Komunitet, të përfaqësuesve fetarë, të shoqërisë civile, të medias dhe rinisë, në nivel kombëtar dhe mban kontakte të drejtpërdrejta me rrjete të ngjashme në rajon dhe më gjerë;
  10. Raporton dhe përgjigjet tek drejtori i institucionit, i cili vendos mbi çështjet procedurale të lidhura me veprimtarinë e sektorit;
  11. Ndërton, nxit, koordinon, menaxhon dhe bashkërendon punën me ekspertë të medias ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm;
  12. Organizon agjendë të gjerë veprimtarish publike dhe mediatike në funksion të mesazheve të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale e fetare;
  13. Koordinon punën me sektorët e tjerë të Qendrës në lidhje me implementimin e publikimeve, studimeve dhe kërkimeve në fushën e radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe medias;
  14. Brenda objektivave të Qendrës, kryen detyra të tjera të ngarkuara nga Eprori.

Kritere të përgjithshme për aplikim

Kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për këtë pozicion, janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të ketë integritet të lartë profesional e moral;
  4. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  5. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  6. Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre/ kundërvajtje penale;
  7. Të mos ketë masë disiplinore administrative në fuqi;
  8. Të ketë njohuri të thella dhe të vërtetuara për gjuhën angleze (niveli C1);
  9. Të ketë eksperiencë pune mbi 1 vit në fushën e kërkuar apo mbi 2 vite punë në fusha të ngjashme;
  10. Të zotërojë njohuri në fushën e sigurisë me fokus kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit;
  11. Të ketë eksperiencë në programet kompjuterikë të përpunimit të të dhënave dhe në programe të tjera kompjuterike bazë;
  12. Njohja e gjuhëve të tjera të huaja, punësimi i mëparshëm në organizata ndërkombëtare dhe/ose institucione akademike në fushën e sigurisë, si dhe njohja apo plotësimi i kritereve të tjera të veçanta që lidhen me sigurinë si punësim i ngjashëm etj., do të konsiderohen kritere të shtuara dhe do merren parasysh gjatë fazës së përzgjedhjes së kandidatit fitues.

Kritere të posaçme për aplikim:

  1. Të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në fushën e sigurisë, shkencave Juridike/Sociale/Politike, teknologjisë dhe informacionit, dhe/ose fusha të ngjashme, me diplomë të nivelit master shkencor/profesional ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare në këtë fushë jashtë shtetit dhe të kenë marrë një diplomë të njësuar, sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;
  2. Të ketë aftësi të mira profesionale, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup;
  3. Të kenë njohuri kompjuterike bazë dhe specifike.
  4. Të ketë eksperiencë të mëparshme pune në ndonjë institucion veprues në fushën e sigurisë.
  5. Të ketë njohuri për legjislacionin në fuqi në lidhje me sigurinë publike si dhe akte të tjera ligjore në fuqi të nevojshëm për ushtrimin e detyrës së tij funksionale, dhe jo vetëm.
  6. Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet intervista.

Kandidati do të intervistohet në lidhje me:

  1. Njohuri të përgjithshme për Kodin e Punës për të drejtat e detyrimet e punëdhënësit e punëmarrësit;
  2. Ligjn nr. 44/2015 Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë;
  3. Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
  4. Strategjinë Kombëtare e Sigurisë;
  5. Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm;
  6. Strategjinë Ndërsektoriale të luftës kundër terrorizmit, 2021–2025, dhe të planit të veprimit 2021–2023.

Dokumentacioni që duhet të dorëzojnë aplikantët për këtë pozicion, është:

  1. Jetëshkrim i plotësuar;
  2. Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën bachelor);
  3. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  4. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
  5. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  6. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  7. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  8. Dëshmi të gjuhës angleze;

Aplikimi dhe dorëzimi i të gjithë dokumentacionit të cituar më sipër, duhet të kryhet brenda datës 25.10.2024, në adresën e e-mailit zyrtar të QKEDH-së, info@cve.gov.al.

Aplikanti duhet të ketë parasysh, se me punësimin e tij në institucionin tonë, do të vijojë procedurat e nevojshme sikurse parashikuar në legjislacionin për informacionin e klasifikuar.

Gjatë zhvillimit të intervistës Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:

  1. Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionin të punës;
  2. Eksperiencën e tyre të mëparshme, veçanërisht nëse aplikanti ka eksperiencë në ndonjë isntitucion veprues në fushën e sigurisë;
  3. Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

(Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatit është 100, të cilat ndahen përkatësisht: 50 pikë për jetëshkrimin / eksperiencën / arritjet profesionale / pastërtinë e figurës dhe 30 pikë për intervistën me gojë dhe 20 pikë testimi me shkrim).

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve nga Komisioni i Rekrutimit, QKEDH do të kryejë njoftim individual nëpërmjet shërbimit e-mail, për çdo kandidat që është intervistuar me gojë dhe me shkrim për rezultatin e arrirë gjatë intervistës, si dhe do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të saj dhe në vendet e dukshme të institucionit brenda një afati 7 (shtatë) ditëve pune nga përfundimi i intervistës.

Ankimi për rezultatet finale bëhet brenda 3 (tre) ditëve punë nga përfundimi i intervistës dhe shqyrtimi i ankesave bëhet brenda 2 (dy) ditëve punë nga kryerja e ankimit.

Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

Na kontaktoni

Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

Rr. Skënderbej, Pallati 4/1, kati 4, Tiranë, Shqipëri

info@cve.gov.al