Publisher: Cve.gov.al 01/07/2025


Publisher: Cve.gov.al 01/07/2025
Më datat 30 qershor dhe 1 korrik 2025, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) koordinoi dhe kontribuoi në zhvillimin e dy seancave trajnimi me temë “Adresimi i rasteve të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në komunitet, si dhe përgjigja ndaj nevojave të individëve të rikthyer nga zonat e konfliktit”.
U mbajt gjithashtu takimi i dytë i Komitetit Rajonal për Parandalimin e Radikalizmit dhe Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm – Qarku Vlorë, me praninë e Prefektit të Qarkut z. Plator Nesturi (Prefekti i Qarkut Vlorë ), Koordinatorit Kombëtar për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, drejtues të strukturave vendore të Policisë së Shtetit ( Policia e Shtetit ) dhe përfaqësues nga institucionet lokale – pjesë e Komitetit.
Trajnimet e zhvilluara me anëtarët e Komitetit Rajonal patën në fokus forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të Komitetit Rajonal, përmirësimin e funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aftësive praktike për identifikimin dhe menaxhimin e rasteve.
Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Të lëmë pas të kaluarën: Ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm”, i cili zbatohet nga “Qendra për Siguri dhe Paqe Shqipëri” pjesë e Linja e Keshillimit per Gra dhe Vajza (LKGV), me mbështetjen financiare të Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë në Komunitet (Global Community Engagement and Resilience Fund).
Ky angazhim i përbashkët përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të aktorëve lokalë dhe ndërtimit të komuniteteve më të sigurta, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse përballë sfidave të radikalizmit.