
Më 10 shtator 2026, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Hedayah-n, zhvilloi konferencën përmbyllëse të fushatës ndërgjegjësuese “Paqe dhe harmoni” dhe të projektit “Shpërndarje mesazhesh nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”. Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare, Bashkimit Evropian, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, medias dhe organizatave partnere.
Fushata u realizua me mbështetjen e Programit të Bashkimit Evropian “Forcimi i Qëndrueshmërisë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm” (STRIVE II). Projekti, i nisur në vitin 2024, mbështeti aktorët fetarë dhe të komunitetit në krijimin dhe shpërndarjen e mesazheve pozitive dhe alternative, kundërmesazheve dhe kundërnarrativave, me synim forcimin e qëndrueshmërisë së grupeve të cenueshme ndaj propagandës dhe ideologjive ekstremiste.
Nëpërmjet trajnimeve praktike dhe asistencës së vazhdueshme teknike, 17 aktorë fetarë dhe të komunitetit, përfaqësues të pesë komuniteteve fetare, u pajisën me mjete dhe teknika komunikimi për të hartuar mesazhe kyç dhe përmbajtje bindëse për mediat sociale dhe komunitetet e tyre. Procesi u mbështet në modelin me katër faza të Hedayah-s: planifikim, prodhim, promovim dhe vlerësim.
Si rezultat i këtij procesi u krijuan katër produkte audiovizuale, të cilat trajtojnë bullizmin online dhe offline; promovojnë njohjen dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare; evidentojnë rolin e udhëheqësve fetarë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm; si dhe nxisin diskutimin mbi bashkëjetesën, qëndrueshmërinë dhe narrativat e bazuara në besim përmes formatit të podkastit.
Fushata “Paqe dhe harmoni” u zhvillua për gjashtë javë dhe u shoqërua me mekanizma monitorimi dhe vlerësimi. Mesazhet u shpërndanë përmes rrjeteve sociale, televizioneve, gjashtë mediave online, reklamimit në hapësira publike dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese në shkolla.
Fushata arriti të angazhojë rreth 560 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë. Aktivitetet ndërgjegjësuese u zhvilluan në 16 shkolla, ku u shpërndanë rreth 3.000 fletëpalojse dhe 100 postera, duke përfshirë më shumë se 5.200 nxënës. Publikimi në gjashtë media online gjeneroi një audiencë shtesë prej rreth 20 mijë lexuesish.
Në konferencën përmbyllëse morën pjesë znj. Lejdi Dervishi, Drejtoreshë e QKEDH-së; z. Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri; Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar I KNFSH-së dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve; H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; At Grigor Pelushi, përfaqësues i Kishës Orthodhokse Autoqevale të Shqipërisë; Mons. Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë; Pastor Erjon Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, si dhe përfaqësues të Hedayah-s, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe medias.
Znj. Lejdi Dervishi, Drejtoreshë e QKEDH-së në fjalën e saj theksoi se parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk është vetëm çështje sigurie por është edhe çështje e kohezionit shoqëror, edukimit, besimit dhe e aftësisë së komuniteteve për t’i rezistuar urrejtjes, përjashtimit dhe dhunës. Suksesi nuk matet vetëm me shikime apo shpërndarje, por edhe me reflektimin që krijon një mesazh, me një bisedë që nis apo me një qëndrim që ndryshon.
“Shqipëria ka një pasuri të çmuar, traditën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Por kjo pasuri duhet të ruhet dhe të përcillet te brezi ri”, u shpreh znj. Dervishi.
Përfaqësuesit fetarë në fjalën e tyre vlerësuan punën e realizuar dhe bënë thirrje për vijimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve duke theksuar mesazhet për paqe, harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare.
Konferenca u shoqërua me një seancë diskutimi dhe vlerësimi mbi ndikimin e fushatës, rezultatet e programit dyvjeçar dhe mësimet e nxjerra. Në këtë kuadër u theksua nevoja për qëndrueshmëri dhe angazhim të vazhdueshëm, veçanërisht në komunikimin me të rinjtë në shkolla, komunitete fetare, shoqërinë civile dhe institucionet publike, komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Duke vendosur zërat e besueshëm vendor në qendër të përpjekjeve parandaluese, nisma kontribuon në forcimin e kohezionit shoqëror dhe në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta e më të qëndrueshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Këshilltari Rajonal i Bashkimit Evropian për Luftën kundër Terrorizmit dhe P/KEDH, z. Eddy Grief, përgëzoi arritjet e projektit duke theksuar se zbatimi i nismave të tilla sjellë ngjyra në botën bardh e zi që përpiqet të imponojë ekstremizmi. Ai nënvizoi rëndësinë se duhet të fokusohemi te parandalimi, reagimi i shpejtë ndaj përmbajtjeve që nxisin radikalizimin, vecanërisht në rrjetet sociale, si dhe forcimin e kominikimit strategjik. Në këtë kontekst, z. Grief vuri në dukje nevojën për zhvillimin e fushatave të vazhdueshme ndërgjegjësuese dhe për krijimin, publikimin dhe shpërndarjen e mesazheve positive dhe kundërnarrativave.
Me mbështetjen e Komisionit Evropian (European Commission and #EUDAlbania), në kuadër të programit #STRIVEII, së bashku vazhdojmë të forcojmë zërat positive dhe komunitetet më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe rezistente ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Lexo më shumë:
Ministria e Punëve të Brendshme
https://mb.gov.al/newsroom/komunikimi-dhe-bashkepunimi-me-komunitetet-kyc-per-parandalimin-e-ekstremizmit-te-dhunshem/
Agjencia Telegrafike Shqiptare
https://ata.gov.al/2026/09/10/lideret-fetare-bashkojne-zerat-per-tolerancen-dhe-parandalimin-e-ekstremizmit-te-dhunshem/?amp=1





