
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) mori pjesë në Takimin e 20-të të Rrjetit Rajonal të Koordinatorëve Kombëtarë kundër Terrorizmit dhe për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Ballkanin Perëndimor (RNNC), i cili u zhvillua më 28–29 tetor 2026, në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Në këtë rrjet, Shqipëria përfaqësohet nga Koordinatorja Kombëtare për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi.
Takimi mblodhi koordinatorët kombëtarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe partnerë ndërkombëtarë, me fokus zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm 2026–2030 dhe të udhërrëfyesve kombëtarë përkatës. Diskutimet u përqendruan në progresin e arritur në nivel kombëtar, sfidat e zbatimit, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe identifikimin e nevojave për mbështetje teknike dhe institucionale nga partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.
Në kontributin e saj gjatë takimit, QKEDH-ja theksoi rëndësinë e Udhërrëfyesit Kombëtar 2026–2030, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, i cili orienton veprimet kombëtare në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe angazhimet e vendit në procesin e integrimit evropian.
Qendra paraqiti ecurinë e punës për zbatimin e Udhërrëfyesit Kombëtar, me fokus forcimin e kuadrit strategjik dhe ligjor dhe të kapaciteteve kombëtare për parandalimin e kërcënimeve të sigurisë, në përputhje me prioritetet evropiane.
QKEDH-ja theksoi rëndësinë e parandalimit të radikalizimit, forcimit të qëndrueshmërisë së komuniteteve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe mbështetjen e partnerëve për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Diskutimet trajtuan gjithashtu ndjekjen e zbatimit të udhërrëfyesve kombëtarë, zhvillimet e sigurisë në rajon dhe nismat e përbashkëta për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit.
Pjesëmarrja e QKEDH-së në Takimin e 20-të të RNNC-së riafirmon angazhimin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, shkëmbimin e praktikave të mira dhe harmonizimin e përpjekjeve kombëtare me prioritetet evropiane, në funksion të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër terrorizmit dhe forcimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

