Publisher: Cve.gov.al 08/11/2021
Publisher: Cve.gov.al 08/11/2021
Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, dha kontributin e saj në panelin e konferencës që organizoi Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me temë: “Ndryshimi i Paradigmës në Afganistan – Siguria njerëzore, krimi transnacional dhe terrorizmi: Kërcënimet e vjetra, të reja dhe emergjencat e kërcënimeve të sigurisë në vazhdën e krijimit të Kalifatit Taliban”. Në konferencë u diskutua mbi impaktin e krizës së Afganistanit në Ballkanin Perëndimor, për çështjet e sigurisë dhe ekonomisë në rajonin tonë.
Znj. Dervishi prezantoi rolin e Qendrës CVE në kuadër të misionit që ka në parandalimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm si dhe në realizimin e procesit të ri-integrimit dhe rehabilitimit për të riatdhesuarit nga ish-kampet e luftës, Siri dhe Irak dhe në pritjen e akomodimin që iu bë refugjatëve afgan në Shqipëri gjatë periudhës Gusht – Shtator 2021, në zbatim të vendimit të Qeverisë Shqiptare.
Gjatë fjalës së saj, Drejtori i Qendrës CVE u ndal në një nga çështjet më të rëndësishme për punën dhe vizionin e Qendrës CVE që është hartimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të dhunshëm 2022 – 2026 dhe Planin e Veprimit 2022-2024, si dhe ndikimin që do të ketë Strategjia e re në situatën aktuale në Shqipëri. Gjithashtu, një pikë e veçantë diskutimi ishte dhe forcimi i politikave kufitare për kundërshtimin e migracionit të paligjshëm me qëllim uljen e kërcënimeve për cënimin e sigurisë në vend.