
Përfaqësues nga Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) dhe Ministria e Punëve të Brendshme morën pjesë në aktivitetin rajonal “Forcimi i Mekanizmave të Paralajmërimit të Hershëm dhe i Bashkëpunimit Kombëtar – Vendor”, të organizuar nga EU Knowledge Hub, i cili u zhvillua në Shkup, Maqedoni e Veriut, më 31 mars – 1 prill 2026.
Ky aktivitet mblodhi së bashku përfaqësues nga institucionet përgjegjëse të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, me synimin për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira mbi funksionimin e mekanizmave të paralajmërimit të hershëm dhe referimit të rasteve në rrezik radikalizimi.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rolin e strukturave vendore në identifikimin e hershëm të rasteve të riskut, si dhe përmirësimin e qasjeve të koordinuara ndërmjet nivelit qendror dhe vendor. Pjesë e veçantë e agjendës iu kushtua temës “Paralajmërimi i hershëm në kuadër të Planit të Ri të Veprimit të Përbashkët (JAP)”, si dhe përdorimit të instrumenteve operacionale për mbështetjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në zbatimin e Protokollit të Paralajmërimit të Hershëm.
Gjatë takimit u prezantua gjithashtu kalimi “Nga Protokolli në Praktikë”, duke u fokusuar në mënyrën se si mekanizmat e identifikimit dhe sinjalizimit të hershëm mund të operacionalizohen në nivel institucional dhe vendor. Një segment i rëndësishëm i agjendës iu kushtua prezantimit të Protokollit të ri Strategjik të P/KEDH për zbulimin dhe sinjalizimin e hershëm, i hartuar nga analistët e EUKH dhe që pritet të lançohet së shpejti.
Përfaqësuesit ndanë shembuj konkretë nga puna e tyre në terren, qasjet inovative për menaxhimin e rasteve, si dhe sfidat e përbashkëta të vendeve të rajonit në kuadër të parandalimit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Pjesëmarrja e QKEDH-së në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimin e njohurive që mbështesin rritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e parandalimit, ndërhyrjes së hershme dhe koordinimit ndërmjet nivelit kombëtar dhe vendor.