QKEDH merr pjesë në tryezën e rrumbullakët për prezantimin e studimit mbi fenomenin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri për vitin 2023

NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE
05/04/2024
CERTIFIKOHEN OFICERËT E RINJ TE SIGURISË NË SISTEMIN E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR.
08/04/2024

QKEDH merr pjesë në tryezën e rrumbullakët për prezantimin e studimit mbi fenomenin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri për vitin 2023

QKEDH merr pjesë në tryezën e rrumbullakët për prezantimin e studimit mbi fenomenin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri për vitin 2023

Publisher: Cve.gov.al 08/04/2024

Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm, Znj. Lejdi Dervishi, me ftesë të Ambasadës së SHBA-ve në vendin tonë dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), mori pjesë në një forum ku u prezantuan rezultatet e studimit me titull “Vlerësim 2024-Mbi Ekstremizmin e Dhunshëm në Shqipëri” të kryer nga IDM me mbështetje financiare nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Studimi u prezantua në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues dhe ekspertë të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, medias, akademisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Hartimi dhe metodologjia e këtij studimi është mbështetur në perceptimin publik që IDM ka mbledhur përmes një sondazhi të kryer gjatë muajit tetor 2023, me 1600 shtetas shqiptarë të anketuar.

Krahasimisht me gjetjet e vitit 2018 dhe 2021, vihet re një perceptim më pozitiv i publikut të anketuar nga IDM gjatë vitit 2023. Studimi aktual rikonfirmon edhe njëherë një përqindje akoma edhe më të ulët të shqetësimit që qytetarët kanë lidhur me fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm me bazë ideologjike fetare apo etnike.
Veçanërisht evidentohet një rënie e ardhur nga perceptimet negative të publikut që lidhen me nxitës të ekstremizmit të dhunshëm të tillë si: ndikimi radikalizues fetar; ndikimi i problemeve socio-ekonomike; ndikimi i radikalizmit etno-kombëtar.

Në fjalën e saj, znj. Dervishi theksoi se përpjekjet e vazhdueshme në këto vite të shtetit shqiptar nëpërmjet koordinimit të QKEDH-së kanë bërë që publiku të jetë i ndërgjegjësuar më shumë për fenomenin e EDH, për rreziqet dhe kërcënimet e tij në përgjithësi. Është rritur ndjeshmëria dhe pranueshmëria e popullatës shqiptare për të pranuar shtetasit shqiptarë të riatdhesuar “të kthyer” nga zonat e konfliktit, Siri-Irak .

Qeveria Shqiptare ka në fokus rritjen e forcës parandaluese dhe ndëshkueshmërisë ligjore, rritjen e nivelit të rendit dhe sigurisë në vend në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese, rritjen e standardeve që e afrojnë Shqipërinë akoma edhe më shumë me vendet e NATO-s, lidhur me zhvillimin socio-ekonomik në vend.

Në këtë drejtim për shembull, mund të veçohet në studim, ulja e vazhdueshme e perceptimit negativ të të anketuarëve në vite lidhur me qëndrimin nëse “Kontributi i Shqipërisë në misionet ushtarake në Afganistan dhe Irak ishte apo është një ofendim për myslimanët shqiptar”; ku 64.9% të të anketuarve në vitin 2023 kanë mohuar një qëndrim të tillë. Krahasuar me raportet e IDM për vitin 2021, 2023 lidhur me këtë pikë, evidentohet një rënie e ndjeshme e perceptimit negativ publik me 8.4%.

Në fjalën e saj, znj. Dervishi u shpreh se gjetjet dhe rekomandimet e raportit do t’i përcillen institucioneve përgjegjëse në vend me qëllim ballafaqimin e këtij sondazhi dhe perceptimit publik me gjendjen faktike për vijimin e masave parandaluese dhe frenuese ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Kjo për t’i ardhur në ndihmë realizimit sa më efikas të reformave ligjore që janë ndërmarrë deri më tani. Ajo theksoi se kjo tregon që qasja e butë dhe shumë-aktoriale që institucionet publike kanë ndërmarre deri më tani, të koordinuara nga QKEDH, nën Ministrinë e Brendshme po rezulton efikase.
Pavarësisht nga sa më sipër, ajo shtoi se vëmendja duhet të jetë gjithmonë konstante ndaj këtij rreziku që kërcënon sigurinë publike, me qëllim evidentimin e hapësirave për përmirësim për të gjithë aktorët e angazhuar në politikat parandaluese ndaj ekstremizmit te dhunshëm sidomos me fokus të rinjtë.

Gjate fjalës së saj në takim, edhe Znj. Amanda Roberson, Zëvendës Shefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, u bëri një thirrje inkurajuese palëve të interesit që të vijojnë të punojnë në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm përmes qasjeve shumaktoriale dhe me të rinjtë. Ajo përmendi bashkëpunimin e frytshëm me QKEDH mbi kundërshtimin e këtij fenomeni, duke vënë në dukje sesi praktika e Shqipërisë ka rezultuar efikase si një model i një qasjeje të butë (soft approach) që rrit qëndresën e komunitetit.

Znj. Dervishi e mbylli fjalën e saj duke uruar që studime të tilla të pasojnë edhe në vitet e ardhshme, pasi kontribuojnë në analizimin dhe vlerësimin e faktorëve nxitës por edhe rreziqeve në funksion të sigurisë dhe rendit publik, gjithashtu ato shërbejnë edhe si vlerësime të impaktit pozitiv të ndërhyrjeve që janë kryer nga institucionet qendrore dhe vendore në funksion të parandalimit, duke përfshirë këtu informimin dhe ndërgjegjësimin e aktorëve të vijës së parë por edhe vetë komuniteteve.

Prezantimi i gjetjeve u vijua me komente dhe pyetje nga pjesëmarrësit, ku Znj. Dervishi adresoi një pjesë të mirë të tyre duke i informuar mbi iniciativat shtetërore publike, strategjitë që Qeveria Shqiptare ka ndërmarre në vite. Ajo vuri theksin edhe tek kundërshtimi i radikalizmit dhe ekstremizmit online, me qëllim forcimin e njohurive të për të ndërgjegjësuar komunitetin dhe sidomos grupet vulnerabël mbi rreziqet që paraqet në këtë drejtim keqpërdorimi i hapësirës kibernetike.

Studimin e plotë mbi gjetjet e anketimit e gjeni në linkun: https://bit.ly/4amuCng.