Samiti i 6-të Global i Strong Cities Network

Eu knowledge hub- Menaxhimi i luftetareve te huaj terroriste, vullnetareve dhe familjareve te tyre
11/12/2025
“10 Vite Rezolutë UNSCR 2250 – Perspektivat e reja të  në Shqipëri”
18/12/2025

Samiti i 6-të Global i Strong Cities Network

Samiti i 6-të Global i Strong Cities Network

Publisher: Cve.gov.al 15/12/2025

Republika e Shqipërisë, u përfaqësua në nivel të lartë nga Koordinatori Kombëtar për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, në Samitin e 6-të Global të Rrjetit të Qyteteve të Forta (Strong Cities Network), i cili u zhvillua në Toronto, Kanada.
Ky samit ndërkombëtar ka mbledhur mbi 370 liderë lokalë, kryetarë bashkish, përfaqësues qeveritarë dhe organizata të shoqërisë civile nga 116 qytete dhe 46 vende, të angazhuar në diskutime për ndërtimin e qyteteve më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe reziliente.

Znj. Dervishi prezantoi në panelin “Bashkëpunimi Kombëtar-Lokal si themel për parandalim dhe reagim efektiv” qasjet e QKEDH-së në forcimin e bashkëpunimit kombëtar–lokal për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rëndësinë e fuqizimit të kapaciteteve lokale për të ndërtuar komunitete më të sigurta dhe të reziliente.

Në fjalën e saj, koordinatori ynë kombëtar gjithashtu theksoi se parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është një proces i vazhdueshëm dhe afatgjatë, që kërkon angazhim të qëndrueshëm institucional.
Ajo nënvizoi se institucionet, nga niveli kombëtar deri te qeverisja vendore, duhet të jenë vazhdimisht të përgatitura për të ndërmarrë veprime efektive në rast krizash apo rreziqesh.

Më tej, znj. Dervishi prezantoi praktikat më të mira të Shqipërisë, duke shpjeguar funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit duke theksuar rolin thelbësor të organizatave të shoqërisë civile në nivel komunitar si dhe përshkroi rolin koordinues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial për një parandalim dhe reagim efektiv ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Samiti, i bashkëorganizuar nga Strong Cities Network , Institute for Strategic Dialogue dhe Kryebashkiakja znj.Olivia Chow, Qyteti i Torontos, shërben si platformë për shkëmbim të ideve, praktika të bazuara në prova, dhe bashkëpunime efektive në temat e sigurisë komunitare, përfshirjes digjitale dhe ekonomike, dhe bashkëpunimit kombëtar-vendor.