Publisher: Cve.gov.al 26/06/2024
Publisher: Cve.gov.al 26/06/2024
Shqipëria mori pjesë në takimin e 20-të të Bordit Drejtues të Fondit Global të Angazhimit dhe Qëndrueshmërisë së Komunitetit (GCERF- Global Community Engagement and Resilience Fund), të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës, i cili përkoi me 10-vjetorin e nisjes së punës së tij.
Prej vitit 2022, vendi ynë është pjesë e bordit të GCERF, i cili mbështetet nga 19 qeveri si SHBA, Kanada, Australi, Zelandë e Re, Britani e Madhe, BE, Francë, Gjermani, Holandë, Katar etj., organizata ndërkombëtare, fondacione, korporata dhe individë, përfaqësuar prej shkurtit 2024 nga Ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë politikëbërës, zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët mbajtën diskutime dhe morën vendime produktive përgjatë dy ditëve të zhvillimit të kësaj mbledhje, të cilat u përqendruan në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe promovimin e paqes, e cila do të kontribuonte në boshatisjen e kampeve në Veri-Lindje të Sirisë, duke siguruar uljen e rrezikut ndaj terrorizmit.
Në fjalën e mbajtur në emër të Ministrit të Brendshëm, Koordinatori Kombëtar për Ekstremizmin e Dhunshëm, Znj. Lejdi Dervishi prezantoi një analizë të detajuar mbi sfidat dhe praktikat më të mira për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit. Ajo falënderoi në emër të Ministrit të Brendshëm dhe institucioneve shqiptare, Kryetarin e Bordit Drejtues të GCERF, Z. Stefano Manservisi për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi vështirësitë me të cilat përballen institucionet shqiptare dhe sukseset që janë arritur me mbështetjen e GCERF në këto vite, duke e kthyer Shqipërinë një model suksesi në riintegrimin e shtetasve të kthyer nga zonat e konfliktit.
Në takimin e ditës së dytë më datë 26 qershor 2024 morën pjesë personalitete të nivelit të lartë me temë “Zbrazja e kampeve në Sirinë Verilindore: Zvogëlimi i Kërcënimit të Terrorizmit”, të zhvilluar nga Qendra GCERF në Gjenevë pranë selisë së Geneva Centre for Security Policy.
Gjatë fjalës së tij, Dr. Khalid Koser, Drejtor Ekzekutiv i GCERF vlerësoi përvojat pozitive të Shqipërisë dhe Kosovës ndërsa Z. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës foli për përvojat dhe sfidat e hasura në riintegrimin e grave dhe fëmijëve të riatdhesuar. Në vijim, Z. Wagner shprehu mbështetjen e qëndrueshme të institucioneve të BE-së shteteve pjesëmarrëse si dhe në praninë e Ambasadores së Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së në Gjenevë, Znj.Vasilika Hysi, u vlerësua si model pozitiv angazhimi i shoqërisë civile në Shqipëri në çështjet e PKEDH-së.
Znj. Dervishi, gjatë fjalës së saj kërkoi qëndrueshmëri për realizimin e programeve për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe proceset e rehabilitim, riintegrimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit për vitin 2025, bazuar në Strategjinë e Investimeve të GCERF për Shqipërinë 2024- 2027 qenë se shumë nga programet e mbështetura nga ky fond mbyllen në fund të vitit 2024.
Mbledhja e 20-të e Bordit Drejtues të GCERF u mbyll duke miratuar 20 vendime, ku vlen të theksohet kërkesa që Bordi i kërkon Sekretariatit të vazhdojë me dhënien e granteve të mëtejshme për vendet tashme përfituese të GCERF, si dhe për vende të reja ku pritet të bashkëpunohet në fushën e P/KEDH-ve
Takimi u mbyll nga Drejtori i Qendrës së Gjenevës për Politikat e Sigurisë (Geneva Centre for Security Policy), Ambasadori Thomas Greminger.
Pjesëmarrja e QKEDH në takimin e 20-të të Bordit te GCERF nënvizon angazhimin e saj për adresimin e sfidave të ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin në përpjekjet globale në rehabilitim dhe riintegrim.