Publisher: Cve.gov.al 28/02/2024
Publisher: Cve.gov.al 28/02/2024
Aktorët më të rëndësishëm institucionalë, ekspertë të fushës, aktivistë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare u bënë bashkë në një tryezë të rrumbullakët konsultimi të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Nën moderimin e gazetarit të mirënjohur Lutfi Dervishi, Drejtorja e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm znj. Lejdi Dervishi përshëndeti eventin e organizuar dhe profesionalizmin e analizës së hartuar nga ana e ekspertes znj. Zyhrada Kongoli.
Fokusi i diskutimeve ishte analiza e legjislacionit vendas dhe praktikave institucionale shqiptare në lidhje me riintegrimin e luftëtarëve të huaj të kthyer nga zonat e konfliktit dhe familjarëve të tyre, si dhe personave të tjerë të radikalizuar apo në rrezik radikalizmi.
Parandalimi dhe koordinimi institucional mbeten ndër detyrat kryesore, të cilave i kushton një vëmendje të veçantë Qendra Cve. Për Përgjegjësen e Sektorit të Çështjeve Sociale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve znj. Doçi, krahas masave institucionale të ndërmarra në përthithjen e implementimin e formateve e standardeve më të mira në këtë fushë, mbeten sfiduese kapacitetet njerëzore e financiare, si dhe rehabilitimi e riintegrimi i të burgosurve për veprat penale në fushën e terrorizmit. Bashkia e Tiranës vlerësohet nga ana e institucioneve publike si promotor pozitiv i bashkëpunimit efektiv ndërinstitucional, praktikë kjo e munguar në raport me institucionet e tjera të qeverisjes vendore.
Institucioni i Shërbimi i Provës i përfaqësuar në këtë event nga z. Anesti Kapllani, bëri të ditur se asnjë individ nuk është vendosur nën mbikqyrjen e tyre deri në këto momente, por e ardhmja e afërt mbetet sfiduese, sa kohë që nevojitet të finalizohen formatet e intervistimit, ambientet e posaçme për intervistimin e tyre, si dhe hartimi i planeve individuale. Drejtori i Anti-Terrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policia e Shtetit z. Alban Dautaj, vlerësoi bashkëpunimin ndër-institucional në operacionet e ndërmarra për rikthimin në vendin tonë të grave dhe fëmijëve, por përkundrejt ndëshkimit u vu theksi në rëndësinë për të mos humbur qenien njerëzore.
Kreu i Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës znj. Alma Lleshi Tandili, vlerësoi pozitivisht rolin e rëndësishëm që luan Policia e Shtetit dhe Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës pranë çdo Bashkie, në favor të garantimit të procedurave në interesin më të lartë të të miturve.
Rritja e gjuhës së islamofobisë në realitetin shqiptar ka shqetësuar përfaqësues të Komunitetit Mysliman, siç është teologu i mirënjohur Dr. Arben Ramkaj. KShH do të ndjekë me vëmendje diskutimin vijues ndërmjet Komunitetit Mysliman dhe aktorëve institucionalë mbi rolin e Këshillave Rajonalë.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Lënia e së kaluarës pas: Rritja e qëndrueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm përmes mbështetjes dhe edukimit”, në bashkëpunim me Linja e Keshillimit per Gra dhe Vajza, mbështetur financiarisht nga Global Community Engagement and Resilience Fund. Partnerë në këtë iniciatiavë janë SHIS, Gender Alliance for Development Center (GADC) dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.