Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm u krijua si rezultat i një sërë masash që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë për të trajtuar shfaqjen e ekstremizmit të dhunshëm tek shtetasit shqiptarë që u bashkuan në radhët e organizatave ekstremiste në konfliktet në Lindjen e Mesme vitet e fundit, duke përfshirë të ashtuquajturin Shtet Islamik në Siri dhe Irak (ISIS). Në vitin 2015, Qeveria Shqiptare zhvilloi dhe miratoi Strategjinë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave “Mbi miratimin e Strategjisë Kombëtare për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planit të Veprimit”, Nr. 930, i cili parashikon përfshirjen e aktorëve kryesorë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke promovuar vlerat demokratike dhe adresimin e shqetësimeve në nivel lokal që mund të nxisin radikalizimin.
Pas miratimit të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Këshilli i Ministrave krijoi njëkohësisht Qendrën për Koordinimin Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri si një qendër për koordinimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të aktorëve lokalë dhe praktikuesve të vijës së parë të përfshirë në përpjekjet për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri dhe rajon, duke ndarë praktikat më të mira dhe duke zhvilluar masa të bazuara në dëshmi efektive për të luftuar kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm. Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm administrohet nga Zyra e Kryeministrit dhe financohet nga Buxheti i Shtetit.
Qëllimet e Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm:
- Forcimi i koordinimit, bashkëpunimit dhe partneritetit në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërmjet agjencive qeveritare, organizatave joqeveritare, sektorit privat, komuniteteve fetare dhe mediave, në identifikimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve efektive;
- Inkurajimi i hulumtimit vendor si mjet për të kuptuar kushtet, faktorët dhe shkaqet që nxisin radikalizimin që mund të kalojë në dhunë dhe qëndresën e komunitetit ndaj ekstremizmit të dhunshëm;
- Forcimi i qëndresës së komunitetit dhe zvogëlimi i tërheqjes ndaj radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet programeve dhe politikave të arsimit, punësimit dhe parandalimit nga policia në komunitet;
- Ulja e ndikimit të propagandës ekstremiste në rrjetet sociale dhe rekrutimit në internet, duke shfrytëzuar mediat sociale si kanale të komunikimit për të promovuar narrativa alternative dhe mesazhe pozitive.
Qendra CVE synon të bashkëpunojë me aktorët e sektorit publik dhe privat për të ruajtur dhe promovuar vlerat e tolerancës dhe harmonisë fetare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë, si dhe ruajtjen e shoqërisë shqiptare nga ekstremizmi i dhunshëm.