QKEDH merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kërkimit të Hedayah 2026 në Maltë

QKEDH zhvillon seanca informuese për forcimin e kapaciteteve të Oficerëve të Policisë në DVP Elbasan mbi shenjat e hershme të radikalizmit.
14/10/2026

QKEDH merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kërkimit të Hedayah 2026 në Maltë

Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kërkimit të Hedayah 2026 (RC26), e cila po zhvillohet në datat 26–28 tetor 2026, në Valeta, Maltë, me temë “Së bashku për komunitete më të sigurta, më të forta dhe më gjithëpërfshirëse”.
Konferenca mbledh përfaqësues institucionalë, organizata ndërkombëtare, studiues, ekspertë dhe profesionistë të sigurisë dhe të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Ajo shërben si një platformë për shkëmbimin e gjetjeve kërkimore dhe përvojave praktike, si dhe për diskutimin e sfidave dhe qasjeve bashkëkohore për parandalimin e radikalizimit dhe rekrutimit terrorist.
Në fjalën e hapjes, z. Ahmed Al Qasimi, Drejtor Ekzekutiv i Hedayah, theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të njohurive në forcimin e përpjekjeve globale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ai nënvizoi nevojën që gjetjet kërkimore të përkthehen në politika, programe dhe trajnime efektive, të përshtatura me sfidat në ndryshim dhe nevojat e komuniteteve.
Një vëmendje e veçantë gjatë konferencës i është kushtuar përdorimit të internetit, rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale nga aktorët ekstremistë dhe terroristë. Në këtë kuadër, diskutimet trajtuan ndikimin e algoritmeve dhe teknologjive të reja në përhapjen e propagandës, rekrutimin dhe shfrytëzimin e individëve dhe komuniteteve në situata cenueshmërie.
Diskutimet kanë theksuar se sfidat e hapësirës digjitale tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë një qasje të integruar, e cila ndërthur ndërhyrjet në mjedisin online me veprimet parandaluese dhe mbështetëse në komunitet. Rëndësi e veçantë i është dhënë hartimit të politikave të mbështetura në të dhëna dhe gjetje kërkimore, të përshtatura me kontekstin kombëtar dhe rajonal, si dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, shoqërisë civile, edukatorëve, të rinjve, drejtuesve komunitarë dhe sektorit të teknologjisë.
Përfaqësuesit e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Kundërterrorizmin (UNOCT) kanë nënvizuar se parandalimi i rekrutimit terrorist kërkon adresimin e faktorëve që rrisin cenueshmërinë e individëve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës, si dhe angazhimin e një game të gjerë aktorësh institucionalë e shoqërorë.
Një tjetër temë e rëndësishme është rehabilitimi, riintegrimi dhe risocializimi i personave të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Diskutimet kanë evidentuar nevojën për bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve përgjegjëse, shërbimeve sociale, strukturave të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe profesionistëve të specializuar. Ky bashkëpunim është thelbësor për ofrimin e ndërhyrjeve të koordinuara dhe të përshtatura me nevojat individuale, në funksion të riintegrimit afatgjatë.
Panelet tematike dhe sesionet interaktive kanë krijuar hapësirë për diskutimin e sfidave konkrete, shkëmbimin e perspektivave profesionale dhe identifikimin e praktikave të mira që mund të përshtaten në kontekste të ndryshme.
Për QKEDH-në, pjesëmarrja në këtë konferencë kontribuon në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe në shkëmbimin e njohurive që mbështesin punën për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe proceset e rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit. Përvojat dhe gjetjet e ndara gjatë konferencës shërbejnë për përmirësimin e qasjeve parandaluese, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e ndërhyrjeve të mbështetura në kërkim.
Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon investim të vazhdueshëm te njerëzit, komunitetet dhe partneritetet, si dhe politika që forcojnë sigurinë, gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë shoqërore.