Publisher: Cve.gov.al 07/06/2024
Publisher: Cve.gov.al 07/06/2024
Në kuadër të lancimit të ngritjes së Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Parandalimin e Radikalizmit dhe Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, i cili konsiston në ngritjen e 12-të Komiteteve Rajonale, nën drejtimin e Prefektëve të Qarkut dhe koordinimin e Qendrës se Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në të gjithë territorin e vendit, në datën 6 Qershor 2024 u mbajt konferenca rajonale për të prezantuar këtë nismë.
Ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, i pranishëm në këtë aktivitet të rëndësisë së veçantë, në fjalën e tij u shpreh, – “Shqipëria është model suksesi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Policia e Shtetit së bashku me të gjithë partnerët do të vazhdojë fuqimisht angazhimin në këtë luftë dhe përpjekje globale të përbashkët për t’i dhënë sa më shumë qëndrueshmëri politikave tona dhe për t’i shtuar sa të kemi mundësi të gjitha programet, të gjitha kontributet në këtë sfidë të rëndësishme”.
Ministri Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional, në nivel qendror dhe lokal, si dhe rolin e shoqërisë civile në përpjekje për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmit në Shqipëri, si dhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të riatdhesuar nga zonat e konfliktit. Ai shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.
Nisma vjen në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit, Nr. 185, datë 31.10.2023 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komiteteve Rajonale për Parandalimin e Radikalizmit dhe Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, një mekanizëm kombëtar referimi për parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm.(lexo më shumë: https://mb.gov.al/ministri-balla-kemi-ngritur-12-komitete-rajonale-ne-luften-kunder-terrorizmit-dhe-ekstremizmit-te-dhunshem-shqiperia-model-suksesi/)
Koordinatori Kombëtar/ Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Znj. Dervishi theksoi misionin e Qendrës se Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit te dhunshëm, rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të radikalizuar dhe të kthyerve nga zonat e konfliktit dhe familjeve të tyre, si dhe zhvillimin e komunikimit strategjik dhe kundër radikalizmit online. Znj. Dervishi nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit 2023-2025 dhe Planit të Veprimit përkatës.
Ky aktivitet dhe ngritja e Mekanizmit Kombëtar të Referimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm janë dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për të ndërtuar një qasje efektive dhe të koordinuar në luftën kundër këtyre sfidave madhore të kohëve moderne. Përkushtimi dhe bashkëpunimi i të gjitha palëve të përfshira janë të rëndësishme për avancimin e këtij procesi.
Konferencën e përshëndeten z. Drejtori Ekzekutiv i GCERF, Dr. Khalid Koser, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit të SHBA, prefektë te qarqeve, donatorë ndërkombëtarë, organizata partnere vendase dhe aktorë institucionalë kombëtarë. Kjo ngjarje historike nënvizon progresin e rëndësishëm dhe angazhimin kolektiv drejt adresimit të KEDH dhe R&R në Shqipëri.
Aktiviteti u mbështet nga Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF) nën koordinimin e Qendrës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm pranë Ministria e Brendshme dhe organizuar në bashkëpunim me organizatën partnere Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza të mbështetur nga GCERF.
Të pranishmit ndanë eksperienca në nivel qarku, kombëtar dhe mbarëkombëtar dhe diskutuan mbi planet e veprimit, sukseset dhe sfidat që na presin.
Kjo ngjarje historike nënvizon progresin e rëndësishëm dhe angazhimin kolektiv drejt adresimit të P/KEDH dhe programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të rikthyerve nga zonat e konfliktit në Shqipëri.