Tirana mikpriti Takimin e 42-të të Kapitullit Europian të FBINAA

Forcimi i mekanizmave vendorë për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
17/09/2026

Tirana mikpriti Takimin e 42-të të Kapitullit Europian të FBINAA

Tirana mirëpriti Takimin e 42-të të Kapitullit Europian të Shoqatës së Të Diplomuarve të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBINAA), i cili mblodhi mbi 230 përfaqësues të FBI-së dhe agjencive ligjzbatuese nga Evropa dhe vende të tjera partnere.
Aktiviteti u përshëndet nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues të lartë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësues të lartë të FBI-së, si dhe e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Nancy VanHorn.
Në kuadër të konferencës, Koordinatorja Kombëtare për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Drejtore e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), znj. Lejdi Dervishi, referoi mbi temën “Tendencat e reja të ekstremizmit të dhunshëm: kërcënimi nihilist dhe përvoja e Shqipërisë në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm”.
Gjatë prezantimit, znj. Dervishi paraqiti zhvillimet më të fundit lidhur me format e reja të radikalizimit dhe kërcënimet në evolucion, duke ndarë përvojën institucionale të Shqipërisë në ndërtimin dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm. Në fokus të veçantë u vu rëndësia e koordinimit ndërinstitucional, angazhimi i institucioneve qendrore dhe vendore, përfshirja e komuniteteve, si dhe zbatimi i programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit, të mbështetura në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Gjatë diskutimeve u evidentua se qasja e koordinuar dhe shumëaktoriale e ndjekur nga Shqipëria ka kontribuar në konsolidimin e një modeli të qëndrueshëm institucional, i cili njihet dhe promovohet gjithnjë e më shumë si praktikë e mirë në nivel rajonal, veçanërisht në fushat e parandalimit, koordinimit institucional dhe riintegrimit.
Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave të përbashkëta të sigurisë, përfshirë terrorizmin, ekstremizmin online, krimin e organizuar, krimin kibernetik dhe përdorimin e teknologjive të reja nga rrjetet kriminale.
Në kushtet e një mjedisi sigurie gjithnjë e më kompleks dhe të ndërlidhur, bashkëpunimi ndërkombëtar, koordinimi ndërinstitucional dhe partneritetet e qëndrueshme mbeten elemente thelbësore për forcimin e sigurisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së institucioneve dhe shoqërive demokratike.