Publisher: Cve.gov.al 26/09/2025


Publisher: Cve.gov.al 26/09/2025
Më 25 shtator 2025, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, u zhvillua si “side event” Konferenca Premtuese e Fondit Global për Angazhim dhe Qëndresë Komunitare (Global Community Engagement and Resilience Fund) e organizuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
Ky aktivitet i nivelit të lartë mblodhi përfaqësues qeverish, partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile për të riafirmuar mbështetjen e përbashkët në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Në këtë konferencë, Shqipëria u përfaqësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë Znj.Elisa Spiropali dhe Ministria e Brendshme nga Koordinatorja Kombëtare për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm P/CVE, Znj. Lejdi Dervishi.
Ministrja, Znj. Spiropali nënvizoi se parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është prioritet kombëtar dhe pjesë integrale e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Ajo theksoi rezultatet konkrete të Shqipërisë në këtë fushë, përfshirë rikthimin e besimit tek institucionet nga individët e riatdhesuar nga zonat e konfliktit, forcimin e mekanizmave të referimit dhe konsolidimin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH). Gjithashtu, ajo rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të GCERF, si shprehje konkrete e përkushtimit për të forcuar përpjekjet parandaluese në nivel kombëtar dhe global.
Znj. Dervishi, Koordinatore Kombëtare e CVE-së, e cila ishte folëse në panelin e zhvilluar gjatë konferencës solli përvojën e Shqipërisë në terren, duke ndarë praktikat më të mira në bashkëpunimin ndërinstitucional, angazhimin e komuniteteve dhe fuqizimin e aktorëve lokalë për të rritur qëndrueshmërinë kundër radikalizmit. Përmes pranisë së saj në panel, u theksua edhe njëherë roli i #Shqipërisë si model rajonal në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe riintegrimit të individëve të rikthyer nga zonat e konfliktit.
Mbështetja e GCERF për Shqipërinë që prej vitit 2020 ka qenë një faktor kyç në avancimin e këtyre proceseve, duke kontribuar në rehabilitimin e grave dhe fëmijëve të rikthyer nga zonat e konfliktit, në forcimin e mekanizmave institucionalë dhe në ndërtimin e besimit të komuniteteve.
Pjesëmarrja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe e Ministrisë së Brendshme në këtë konferencë dëshmoi edhe një herë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të paqes, dialogut dhe sigurisë kolektive.