Publisher: Cve.gov.al 04/10/2022
Publisher: Cve.gov.al 04/10/2022
Më 4 dhe 5 Tetor 2022 u zhvillua Konferenca Rajonale me temë “Drejt Menaxhimit të suksesshëm, rehabilitimit dhe ndihmës pas vuajtjes së dënimit për të burgosurit ekstremistë të dhunshëm (VEP) në Ballkanin Perëndimor- arritjet dhe rruga përpara” e organizuar nga Këshilli i Europës me përfaqësues te Bashkimit Europian, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Burgjeve, Policia e Shtetit si dhe institucione të tjera lidhur me çështjet e diskutuara në konferencë.
Në këtë konferencë u diskutua lidhur me menaxhimin efektiv të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm, programet specifike të ndërhyrjes dhe rehabilitimit, strategjitë e para-lirimit dhe praktikat e daljes, si dhe sfidat dhe mësimet e nxjerra nga puna e deritanishme ku pjesë e panelit ka qenë edhe drejtori i Qendrës CVE z. Denion Meidani, i cili ka folur lidhur me metodologjinë e menaxhimit të të burgosurve ekstremistë, parandalimin e progresit të ekstremizmit të dhunshëm në burgje, si dhe për ndërhyrje të cilat synojnë ndalimin e përfshirjes të të burgosurve ekstremistë në akte dhunë dhe për lehtësimin e ri integrimit të tyre në komunitet pas përfundimit të dënimit.
Ai u shpreh se ekstremizmi minon paqen dhe sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe se asnjë vend apo rajon nuk është i imunizuar nga ndikimet e tij. Sipas z. Meidani, të gjitha palët e përfshira duhet të thirren për të kontribuar në një qasje gjithëpërfshirëse dhe të integruar duke adresuar politikat dhe mekanizmat kyç të menaxhimit të burgjeve si nevoja për: kushtet e përgjithshme të burgjeve të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, trajtim jo diskriminues i të dënuarve, trajnim profesional i stafit të burgjeve, rehabilitimi i vazhdueshëm dhe ri integrimi social përmes mbështetjes pas lirimit etj.
Gjithashtu në konferencë është diskutuar edhe për arritjet dhe sfidat lidhur me rehabilitimin, përgatitjet për lirim dhe asistencën pas vuajtjes së dënimit në kushtet e Ballkanit Perëndimor. U theksua edhe rëndësia e familjes dhe punësimi i tyre pas kryerjes së dënimit në rehabilitimin dhe ri integrimin e të burgosurve.