Publisher: Cve.gov.al 26/04/2024
Publisher: Cve.gov.al 26/04/2024
Në kuadër të iniciativës bashkëpunuese të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Lehtësimi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (Horizontal Facility III), në datat 24-25 prill 2024 në Tiranë u zhvillua konferenca rajonale “Programet dhe rrugët që sigurojnë riintegrimin e të burgosurve të ekstremizmit të dhunshëm dhe të burgosurve të margjinalizuar në rrezik nga radikalizimi në Ballkanin Perëndimor” me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, Shqipëria, Bosnje & Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Shqipëria si vend pritës, u përfaqësua nga znj. Lejdi Dervishi Drejtor i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm, e cila mbajti dhe një fjalë prezantuese. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Administratës së Burgjeve, Shërbimi i Provës, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe OSHC, etj.
Faza e tretë e programit mbulon veprime në Shqipëri, Bosnje & Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Turqi, përfshi dimensionin rajonal. Qëllimi i konferencës ishte rritja e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor për menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit. Në këtë kontekst u prezantuan “Udhëzimet e Politikave”, dokument i cili synon të pajisë politikëbërësit dhe zyrtarët e lartë në Ballkanin Perëndimor me njohuritë dhe strategjitë për të parandaluar dhe luftuar terrorizmin brenda rajonit. Ai vendos një theks të rëndësishëm në strategjitë e parandalimit terciar, që synojnë frenimin e recidivizmit të dhunshëm midis atyre që janë dënuar për krime të dhunshme ekstremiste dhe atyre që konsiderohen të pambrojtur ose në rrezik nga radikalizimi. Nëpërmjet kësaj qasjeje të fokusuar, udhëzuesi aspiron të promovojë një ndryshim paradigme në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke kaluar nga masat thjesht ndëshkuese në një model më rehabilitues dhe riintegrues që adreson shkaqet rrënjësore dhe lehtëson riintegrimin e pandërprerë të shkelësve në shoqëri, duke kultivuar kështu një komunitet më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Lidhur me aktivitete të ardhshme në Shqipëri, në kuadër të zhvillimit të përgatitjes së programeve të lirimit për VEP, vulnerabël / të margjinalizuar në rrezik nga radikalizimi, planifikohen:
– Trajnime të personelit në burgje, në shërbimin e provës, të mirëqenies sociale për aplikimin e mjeteve sipas programeve të para lirimit;
– Pilotim, vlerësim dhe monitorim me qëllim vënien sa më mirë në praktikë;
– Vlerësim i praktikave të deritanishme dhe procedurave të bashkëpunimit ndërinstitucional lidhur me lirimin dhe riintegrimin e të burgosurve ekstremistë të dhunshëm.
Në përfundim të konferencës u mbajt mbledhja e III-të e Komitetit Drejtues, moderuar nga menaxheri i Programit Rajonal P/CVE, Zyra e Këshillit të Evropës në Sarajevë, z. Predrag Sofranac, me pjesëmarrjen dhe të shefes së zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re.