Publisher: Cve.gov.al 18/10/2023
Publisher: Cve.gov.al 18/10/2023
Zyra e Antiterrorit dhe Sigurisë e Delegacionit të BE-së në Sarajevë, në bashkëpunim me projektin rajonal Kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor – IPA 2019 (CSC WB), organizoi edicionin e 14-të të takimit të Rrjetit Rajonal të Koordinatorëve Kombëtarë të Antiterrorit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (RNNC) të Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në 17 e 18 tetor 2023.
Fokusi i takimit ishte diskutimi mbi mësimet e nxjerra, problematikat e sigurisë me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor si dhe rritja e bashkëpunimeve bilaterale dhe rajonale në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në këtë takim merrnin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë, nga autoritetet maqedonase dhe Bashkimi Europian, Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Këshillin e Europës (CoE), CIVIPOL, EUROPOL, MCIC, DG HOME-DG NEAR, Koordinatorët Kombëtar të Antiterrorit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnja dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Shqipërisë si dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në fushën e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë takim mori pjese dhe Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm njëkohësisht dhe Koordinator Kombëtar për CVE Z. Denion Meidani.
Gjatë fjalës, ai pasi shprehu mirënjohjen autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për mikpritjen dhe Zyrës së Antiterrorit dhe Sigurisë të Delegacionit të BE në Sarajevë për organizimin e këtij aktiviteti, ngriti shqetësim e thellë lidhur me çështjen komplekse të ekstremizmit të dhunshëm në rajon duke nënvizuar se ky fenomen po rrezikon themelet e besimit, solidaritetit dhe paqes brenda komuniteteve.
“Ne kemi qenë dëshmitarë, për fat të keq, se fenomene të tilla rrezikojnë themelet e besimit komunitet,. Pasojat shkojnë përtej vuajtjes individuale, duke u bërë një traumë e përbashkët kulturore që përcakton pikërisht këtë komunitet. Dhe do të guxoja të thoja se me kalimin e kohës, këto incidente bëhen kujtime kolektive, të prekshme përmes memorialeve dhe faltoreve. Ky është një realitet që nuk mund ta injorojmë dhe kjo është ajo që e bën punën tonë më të vështirë dhe komplekse. Sfida e vërtetë është të kërkohet në mënyrë aktive një paqe afatgjatë dhe e drejtë që trajton padrejtësitë themelore në zemër të konflikteve. Nuk mjafton të përkufizosh një grup apo qeveri si ekstremiste. Dështimi për të adresuar çështjet rrënjësore dhe mbështetja në zgjidhje dhe sanksione jo detyruese e zvogëlojnë besueshmërinë në agjencitë tona organizatat ku aderojmë si përkrahës të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”, tha Meidani.
Koordinatorët Rajonal të Antiterrorit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm në Ballkanin Perëndimor diskutuan mbi sfidat dhe mësimet e nxjerra në proceset RRR, rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të punonjësve të vijës së parë me qëllim identifikimin e shenjave të hershme radikalizmit, iniciativat bilaterale dhe rajonale si dhe angazhimet apo përpjekjet rajonale për kundërshtimin e këtij fenomeni. Nga ana tjetër, partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile pjesëmarrëse në takim, prezantuan mbi projektet dhe iniciativat që ato kanë në vende respektive të Ballkanit Perëndimor si dhe ato bilaterale apo rajonale.
Në përfundim të takimit, koordinatorët e Antiterrorit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (CT/CVE) të partnerëve të Ballkanit Perëndimor, u dakordësuan se gjithpërfshirja, partneritetet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar dhe kundërshtuar terrorizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke balancuar masat e sigurisë afatshkurtra me strategjitë afat gjata të ndërhyrjeve në komunitet.