Publisher: Cve.gov.al 06/11/2024
Publisher: Cve.gov.al 06/11/2024
Më datë 5 nëntor 2024, Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, mori pjesë në një seminar të organizuar nga Qendra AIRE për Ballkanin Perëndimor, mbi projektin rajonal (studimin kërkimor) mbi “Gratë dhe financimet e paligjshme në Ballkanin Perëndimor: rolet, cenueshmëritë dhe përgjigjet”. Qendra AIRE, është organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1993, promovon zbatimin e së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij studimi kërkimor është të analizojë rolin e grave në aktivitetet e paligjshme financiare në gjashtë juridiksionet e Ballkanit Perëndimor. Studimi synon të identifikojë masat më efektive që mund të ndërmerren nga palët e interesit për të adresuar këtë fenomen dhe të përcaktojë nevojat për hulumtime të mëtejshme.
Në seminar morën pjesë përfaqësues nga Akademia e Sigurisë, Drejtoria e Pergjithshme Antikorrupsion, Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve, Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (Ministria e Financave dhe Ekonomisë), NOA dhe UBA Bank.
Seminari u hap me një prezantim nga konsulentja ligjore, e cila përmendi rëndësinë e fazës fillestare të vlerësimit. Diskutimet u fokusuan në rolin e grave në financat e paligjshme, ku doli në pah se në vendin tonë, gjinia nuk është një kriter i përcaktuar për hetimet lidhur me shkeljet e ligjit. Kjo çështje sugjeron se duhet të merret parasysh në hulumtimet e ardhshme.
Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm mbetet e angazhuar për të kontribuar në nxitjen e një dialogu konstruktiv dhe përmirësimin e politikave që adresojnë çështjet e lidhura me financimet e paligjshme dhe ekstremizmin e dhunshëm.