Publisher: Cve.gov.al 22/11/2021
Publisher: Cve.gov.al 22/11/2021
Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm organizoi një takim me përfaqësues të lartë të Fondit Botëror për Angazhimin dhe Resiliencën e Komunitetit (GCERF) dhe përfaqësues të ambasadave në Shqipëri për të diskutuar mbi eksperiencën e Shqipërisë në parandalimin e radikalizmit dhe ri-integrimin e shtetasve të rikthyer nga zonat e konfliktit në komunitet.
Në këtë tryezë të rrumbullakët, të cilën Qendra CVE e organizoi në formën e një takimi konsultativ me donatorët me fokus monitorimin dhe vlerësimin e progresit të Shqipërisë në të gjitha politikat sektoriale, morën pjesë përfaqësues të Ambasadës Holandeze në vend, Ambasadës Zvicerane dhe Gjermane, si dhe stafi psiko-social dhe organizata të shoqërisë civile.
Gjatë këtij takimi, punimet e të cilit u përqendruan tek programet e vazhdueshme të komunitetit për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të kthyerve dhe familjeve të tyre, u theksua se jemi të përkushtuar në forcimin e mekanizmave aktualë të monitorimit dhe vlerësimit në bashkëpunim me komunitetin e donatorëve si dhe të çojmë përpara sigurinë, rendin dhe luftën kundër kriminalitetit.
Organizata GCERF po bashkëpunon me Qendrën CVE duke mbështetur financiarisht organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, që po implementojnë projekte me fokus ri-integrimin e individëve të rikthyer nga zonat e konfliktit në komunitet.