
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH) organizoi sot një aktivitet mbi qasjen ndërsektoriale dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe nënave të riatdhesuara nga zonat e konfliktit. Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me GCERF dhe Hedayah, në Qendrën Multifunksionale “Të Qëndrojmë së Bashku” në Kombinat.
Në vijim të Takimit të Rrjetit Rajonal të Koordinatorëve Kombëtarë (RNNC) ditën e mërkurë 22.04.2026, aktiviteti mblodhi përfaqësues nga rajoni, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile për të shkëmbyer përvoja, prezantuar rezultate dhe diskutuar përpjekjet e përbashkëta në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit të BE-së.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, duke theksuar mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërinstitucional në këtë fushë.
Aktiviteti u hap nga Koordinatorja Kombëtare për P/CVE dhe Drejtoresha e QKEDH, znj. Lejdi Dervishi, së bashku me përfaqësues të Delegacionit të BE-së dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm në adresimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Diskutimet u fokusuan në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit, rolin e Qendrës Komunitare Multifunksionale dhe ndikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të mekanizmave kombëtarë dhe vendorë, përfshirë KVSP-të.
U ndanë gjithashtu praktika të mira dhe sfida konkrete nga organizatat e shoqërisë civile që bashkëpunojnë ngushtë me QKEDH, duke sjellë në vëmendje përvojat e tyre në terren dhe kontributin në mbështetjen e rasteve të riatdhesuara. Diskutimet theksuan nevojën për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e kapaciteteve në nivel vendor dhe garantimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe riintegrimin e suksesshëm të individëve të kthyer nga zonat e konfliktit.
Përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë, nëpërmjet Qendrës Multidisiplinore në Kombinat, ndanë gjithashtu përvojën e tyre në terren, duke evidentuar sfidat konkrete që hasin në proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit. Ata theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët institucionalë dhe ndërkombëtarë, si dhe ftuan të pranishmit të vijojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin këtë mision të përbashkët në shërbim të komunitetit.




