Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor

QKEDH, pjesë e delegacionit shqiptar në vizitë studimore në Norvegji
08/05/2024
Shpallje Kandidati Fitues!
10/05/2024

Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor

Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor

Publisher: Cve.gov.al 10/05/2024

Në datat 7-10 maj 2024, në Tiranë u zhvillua seminari i radhës në kuadër të projektit “Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Komisioni Evropian, me implementues katër vende anëtare të Bashkimit Evropian(BE) të udhëhequr nga Franca (Ministria e Brendshme Franceze dhe operatori i saj CIVIPOL, Ministria e Brendshme Kroate, Ministria e Brendshme Italiane dhe Qendra për Studime Sigurie (ΚΕΜΕΑ) e Ministrisë Greke për Mbrojtjen e Qytetarit). Ky seminar u zhvillua nën koordinimin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe angazhimin intensiv të Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Në çeljen e seminarit, përshëndetën ambasadorja e Ambasadës Franceze në vendin tonë, Madam Chatherine Suard; zëvendësambasadori i Delegacionti Evropian në Shqipëri, z. Andre Rizzo, përfaqësuesi i Ambasadës Italiane, z. Luigi Mattirolo dhe përfaqësuesja e Ambasadës Kroate, znj. Maja Drmac.

Nga pala shqiptare, eventin e përshëndetën zëvendësministri i brendshëm, z. Besford Lamallari dhe Koordinatorit Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm/ Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi.

Në fjalën e saj, znj Dervishi falënderoi pjesëmarrësit dhe theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar që ky program të ketë ecuri sa më pozitive dhe të arrihet rritja e kapaciteteve të institucioneve në vend me qëllim implementimin me sukses të programit. QKEDH operon nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës dhe parnerët ndërkombëtarë, pasi qasja multi-institucionale është e duhura për të ecur përpara në përmbushje të agjendës dhe në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor dhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE.

Në këtë event morën pjesë më shumë se 40 përfaqësues nga 21 institucione shtetërore në vend, të cilët ushtrojnë përgjegjësi në lidhje me mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe hapësirave publike. Rritja e kapaciteteve për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe hapësirave publike përbën edhe një nga rekomandimet kryesore të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në fushën e kundër-terrorizmit.

Ekspertët e CIVIPOL bënë prezantime mbi institucionet e Bashkimit Evropian, tipologjinë e legjislacionit, procedura të zbatimit të akteve në BE; planin e përbashkët të veprimit kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, konkretizuar me modelet kroate dhe franceze; si dhe një analizë krahasuese duke ballafaquar përfitimet e legjislacionit të BE në raport me legjislacionin kombëtar.

Prezantimet u fokusuan në një vështrim të përgjithshëm mbi Politikën e Infrastrukturës Kritike të BE-së dhe në kuadrin ligjor evropian që normon Infrastrukturën Kritike. Në një analizë që iu bë Direktivës CER 2022/2557, u prezantuan hapat e ardhshëm që do të ndërmerren nga shtetet anëtare të BE, ku deri më 17.10.2024 do të adoptohen masat e nevojshme në përputhje me Direktivën CER dhe do të hyjnë në fuqi për zbatim prej datës 18.10.2024. Ndërsa nga janari 2026, çdo shtet anëtar do të adoptojë një strategji për të rritur qëndrueshmërinë e entiteteve/ insfrastrukturave strategjike. Gjithashtu u dhanë rekomandime për harmonizimin e legjislacionit vendas me Direktivën CER, në funksion të mbrojtjes së entiteteve kombëtare kritike dhe me impakt ndërkufitar.