Zv. Ministrja e Brendshme Kuko dhe Drejtori i CVE Meidani presin Drejtorin e Programeve të Byrosë së Antiterrorit të Departamentit të Shtetit

Shqipëria shembull suksesi në proceset Rehabilitimin dhe Riintegrimit
29/05/2023
Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Meidani dhe përfaqësuesi i UNICEF, De Bernardi në Fier&Gjirokastër: Një Hap Ndaj Mbrojtjes së Fëmijëve
22/06/2023

Zv. Ministrja e Brendshme Kuko dhe Drejtori i CVE Meidani presin Drejtorin e Programeve të Byrosë së Antiterrorit të Departamentit të Shtetit

Zv. Ministrja e Brendshme Kuko dhe Drejtori i CVE Meidani presin Drejtorin e Programeve të Byrosë së Antiterrorit të Departamentit të Shtetit

Publisher: Cve.gov.al 30/05/2023

Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit është një sfidë që i kërkohet të gjitha vendeve. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar një partneritet të fortë gjithëpërfshirës për të adresuar këtë fenomen të rëndësishëm dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të dukshme dhe përmirësime të vazhdueshme në kapacitetet e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Shqipëri.
Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme, një delegacion i nivelit të lartë të Departamentit të Shtetit i cili kryesohej nga Z. Sam Pineda, Drejtor i Zyrës së Programeve në Byronë e Antiterrorit në Departamentin Amerikan të Shtetit; zhvilloi një vizitë pune në Ministrinë e Brendshme. Pjesë e delegacionit amerikan ishin dhe Znj. Mia DiBenedetto, Menaxhere e Programeve të Antiterrorit në Byronë e Antiterrorit të Departamentit të Shtetit, përfaqësues i Zyrës së Sigurisë Kombëtare (Homeland Security Office) të SHBA; përfaqësues të FBI; Z. Joseph Bladwin Këshilltar i Antiterrorit në Ambasadën e SHBA në Tiranë dhe Z. William Sage përfaqësues i OBDAT të Departamentit të Drejtësisë së SHBA.
Delegacioni i lartë amerikan u prit nga Zv.ministrja e Brendshme znj. Romina Kuko, Drejtori i CVE njëkohësisht dhe Koordinator Kombëtar për CVE z. Denion Meidani, Drejtori i Kabinetit të Ministrit të Brendshëm znj. Lorena Pullumbi dhe Zv. Koordinatori Kombëtar për CVE z. Ermal Jauri.
Fokusi i takimit ishte rritja e bashkëpunimit dy palësh mes Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm së Ministrisë së Brendshme, dhe Byrosë së Antiterrotit të Departamentit të Shtetit në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit si dhe mbështetja amerikane në proceset R&R dhe ato të transformimit të CVE në Agjenci Kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit.
Gjatë prezantimit të një përmbledhje të proceseve që Shqipëria po kalon në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit të shtetasve Shqiptar të kthyer nga zonat e konfliktit Siri dhe Irak, Zv. Ministrja Kuko gjatë këtij takimi, theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe SHBA ka rezultuar në përmirësimin e legjislacionit dhe sistemit të drejtësisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Shqipëria ka ndryshuar dhe plotësuar legjislacionin e saj për të adresuar më mirë këtë problematikë, duke u bazuar në përvojën dhe ndihmën e ofruar nga SHBA. Kjo përfshin rritjen e dënimeve për individët dhe grupet e përfshirë në terrorizëm, si dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të garantuar që ata të dalin para drejtësisë dhe të jenë të përgjegjshëm për veprimet e tyre.
Drejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, pasi falënderoi Z. Pineda për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Shqipërinë në mbështetje të operacioneve të riatdhesimit dhe zhvillimin e programeve të deradikalizimit dhe rehabilitimit për individët që janë përfshirë në aktivitete ekstremiste, siguroi se Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm mbetët e palëkundur në përpjekjet e përbashkëta për kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit me të gjitha llojet dhe format që shfaqet.
Drejtori i Kabinetit të Ministrit të Brendshëm, Znj. Pullumbi pasi falenderoi Z. Pineda dhe delegacion e SHBA në emër të Ministrit të Brendshëm theksoi rëndësinë që ka kontributi i SHBA-ve si partner strategjik në këto procese ( proceset e riatdhesimit të gjithë shtetasve Shqiptarë nga zonat e konfliktit). Gjithashtu Znj. Pullumbi u shpreh se Ministria e Brendshme do të vlerësonte mbështetjen e palës amerikane në ndërtimin e një mekanizmi kombëtar të vlerësimit të rrezikut.
Përmes bashkëpunimit ndërmjet agjencive të inteligjencës dhe ligj zbatuese, Shqipëria dhe SHBA kanë ngritur kapacitetet operative dhe inteligjencës për të monitoruar dhe luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin. Shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi i veprimeve ka lehtësuar identifikimin e kërcënimeve potenciale dhe parandalimin e veprimeve të mundshme të terrorizmit. Këto përpjekje i kanë lejuar Shqipërisë të mbështetet në ekspertizën dhe përvojën amerikane për të forcuar sistemin e sigurisë dhe për të përgatitur më mirë personelin lokal përballë sfidave të reja të sigurisë.
Nga ana e Tij, Pineda, pasi përgëzoi Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Ministrinë e Brendshme për punën e bërë në këtë aspekt, u shpreh se Shqipëria dhe SHBA duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të adresuar sfidat e ardhshme dhe për të garantuar një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe jo vetëm. Gjithashtu, Z. Pineda siguroi palën Shqiptare për mbështetjen e mëtejshme të zyrës së tij në proceset e transformimit dhe të fuqizimit të aktorëve të përfshirë në fushë CT/CVE.