

Më 15 prill 2026, në qytetin e Korçës u zhvillua takimi i radhës i Komitetit Rajonal për parandalimin e Radikalizmit dhe luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe qendrore, strukturave të sigurisë, arsimit, si dhe aktorëve të angazhuar në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Takimi u përqendrua në adresimin e sfidave që lidhen me parandalimin e radikalizmit, me theks të veçantë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën online.
Takimi u hap nga Prefektja e Qarkut Korçë, znj. Florinda Zegullaj, e cila në fjalën e saj theksoi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe të koordinuar për garantimin e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht përballë rreziqeve që vijnë nga mjedisi digjital. Ajo theksoi se, megjithëse deri më tani nuk janë identifikuar raste konkrete të radikalizmit nga struktura arsimore në qark, institucionet vijojnë të punojnë në mënyrë proactive për rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e mekanizmave parandaluese.
Prefektja shtoi se fokusi insititucional do të mbetet te aktivitetet parandaluese, programet ndërgjegjësuese dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim krijimin e një mjedisi të sigurtë për komunitetin dhe në veçanti, për të rinjtë.
Në vijim, Koordinatorja Kombëtare për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, vuri theksin mbi rëndësinë e një koordinimi efektiv ndërmjet institucioneve në nivel qendor dhe vendor. Ajo theksoi nevojën për bashkëpunim të strukturuar jo vetëm në fushën e parandalimit, por edhe në proceset e rehabilitimit, riintegrimit dhe mbështetjes së personave të kthyer nga zonat e konfliktit, is dhe atyre që kanë përfunduar vuajtjen e dënimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Nga ana e saj, Drejtoresha e QKEDH theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit rajonal, duke inkurajuar zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta me vendet fqinje. Në fokus u vendos shkëmbimi i praktikave të mira dhe forcimi I kapaciteteve institucionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në nivel rajonal.
Takimi përfundoi me dokordësinë e të gjithë pjesëmarrësve për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucinal, rritjen e përfshirjes së komunitetit dhe zhvillimin e iniciativave konkrete ndërgjegjësuese, edukative dhe parandaluese në nivel local. Ky takim riafirmoi angazhimin e institucioneve për të focuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, duke vendosur në qendër parandalimin e hershëm, bashkëpunimin ndërmjet aktorëve dhe mbështetjen e qëndrueshme për sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit.


