

Në datën 5 maj 2026, në ambientet e Qendrës së Kapaciteteve Kibernetike për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Cyber Capacity Center – WB3C), në Parkun Shkencor dhe Teknologjik të Podgoricës, u zhvillua aktiviteti i prezantimit të projektit evropian “Përmirësimi i qëndrueshmërisë së entiteteve kritike dhe mbrojtja e hapësirave publike dhe hapësirës kibernetike nga kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.
Projekti do të zbatohet në gjashtë vendet e rajonit: Shqipëri, Bosnjë dhe Herzegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.
Ky projekt, i financuar nga Komisioni Evropian, përfaqëson fazën e re të projektit evropian “Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në Ballkanin Perëndimor” (WB CIPS 2023 – 2026), e cila kishte si synim përafrimin e sistemeve të sigurisë në rajon me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe sigurisë së hapësirave publike.
Në këtë fazë të re (2026 – 2029), projekti synon të adresojë boshllëqet e mbetura, sidomos në komponentin e partneriteteve publike – private (PPP), duke kaluar nga konceptet teorike drejt zbatimit praktik. Një komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zhvillimi nga WB3C i një programi rajonal trajnimi për forcimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.
Projekti do të vijojë të zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga katër shtetet anëtare të Bashkimit Evropian: Franca (shtet udhëheqës), Italia, Kroacia dhe Greqia.
Shqipëria u përfaqësua nga Koordinatori Kombëtar për P/KEDH, Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, si dhe një përfaqësues i AKSK-së.
QKEDH vijon rolin si pikë fokale për Shqipërinë, duke koordinuar zbatimin e projektit. Në këtë kuadër, në datat 6-7 maj 2026, në Podgroricë u zhvilluan takimet e para të tre grupeve teknike të punës në kuadër të komponentit CEPS, duke shënuar nisjen e bashkëpunimit praktik për mbrojtjen e hapësirave publike, qëndrueshmërinë e entiteteve kritike dhe forcimin e partneriteteve publike-private në rajon.


