

Në datat 2–3 qershor 2026, në Gjenevë u zhvillua Takimi i 24 t i Bordit Drejtues të Fondit Global për Angazhimin e Komuniteteve dhe Qëndrueshmërinë (GCERF), ku Shqipëria u përfaqësua nga Koordinatori Kombëtar për parandalimin dhe kundërshimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi.
Takimi mblodhi përfaqësues të vendeve partnere, donatorë dhe organizata ndërkombëtare, me fokus në avancimin e agjendës globale të parandalimit dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike për periudhën në vijim.
Znj. Dervishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit me komunitetet dhe aktorët ndërkombëtarë, duke paraqitur përvojën shqiptare në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit si një model që siguron qëndrueshmëri dhe rezultate konkrete. Ky model zbatohet përmes koordinimit të QKEDH-së, e cila vepron nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Diskutimet theksuan rëndësinë e vazhdimësisë së investimeve në parandalim, duke vënë në dukje qasjet e bazuara në komunitet dhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e programeve parandaluese, si edhe përdorimin e evidencës për orientimin e politikave dhe proceseve ndërkombëtare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave në zhvillim, në veçanti ndikimit të hapësirës digjitale dhe rritjes së shumëllojshmërisë së faktorëve që ndikojnë në radikalizim, duke theksuar nevojën për forcimin e qasjeve parandaluese të përshtatura dhe gjithëpërfshirëse.
Në përfundim, u konfirmua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimit të partneriteteve për të rritur ndikimin e programeve parandaluese dhe për të avancuar më tej agjendën globale kundër ekstremizmit të dhunshëm.

