Publisher: Cve.gov.al 16/02/2024
Publisher: Cve.gov.al 16/02/2024
Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në bashkëpunim me Prefekturën e Tiranës ngritën Komitetin Rajonal për Parandalimin e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm. Takimi mblodhi së bashku një grup të gjerë aktorësh siç përshkruhet në Urdhrin nr. 185 datë 31.10.2023 të Kryeministrit, duke demonstruar një qasje të unifikuar drejt adresimit të sfidave të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Formimi i Komitetit nënvizon angazhimin e qeverisë për të nxitur një mjedis bashkëpunimi, duke bashkuar përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, duke përfshirë aktorë të zbatimit të ligjit si policia vendore, shërbimi i provës, policia kufitare, shërbimet sociale, punësimi, shëndetësia dhe arsimi.
Takimi u kryesua nga Prefekti Afrim Qëndro, i cili do të luajë edhe rolin e kryetarit të Komitetit, duke treguar nivelin e lartë të rëndësisë që i kushtohet kësaj nisme. Ai u ndihmua nga Koordinatorja Kombëtare për CVE Lejdi Dervishi si dhe nga Drejtoresha e Linjës së Këshillimit për Gratë dhe Vajzat, Iris Luarasi, çka tregon qasjen gjithë-përfshirëse dhe multidisiplinare të takimit.
Mbledhja përcaktoi kuadrin themelor për objektivat e Komitetit, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje shumë-disiplinore për të luftuar efektivisht kërcënimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në nivel rajonal. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime gjithëpërfshirëse për identifikimin e hershëm, ndërhyrjen dhe promovimin e praktikave gjithëpërfshirëse të angazhimit të komunitetit si dhe qasja që do të ketë ky komitet mbi proceset e rehabilitimit për individët që ndodhen në Qarkun e Tiranës.
“Përgjegjësia jonë është të bëjmë gjithçka duhet për t’i adresuar këto probleme më të cilat nuk përballet vetëm vendi ynë”, theksoi Prefekti i Tiranës Afrim Qëndro.
Koordinatorja Kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm Lejdi Dervishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndarjes së ekspertizës mes anëtarëve të komisionit. Ndërsa Drejtoresha Iris Luarasi nënvizoi rolin e shërbimeve mbështetëse dhe këshilluese në përpjekjet parandaluese, duke advokuar për ndërgjegjësimin e gjithë aktorëve.
Krijimi i këtij Komiteti është një hap kritik përpara, në rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit midis të gjithë aktorëve përkatës, duke siguruar një përgjigje kohezive që synon të mbrojë komunitetin dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare.
Angazhimi i demonstruar nga të gjithë pjesëmarrësit në takim është një tregues premtues i ndikimit të mundshëm që ky komitet do të ketë në nxitjen e një komuniteti më të sigurt. Komiteti miratoi rregulloren për funksionimin e Komitetit Rajonal të Parandalimit të Radikalizmit dhe Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm si dhe përcaktoi anëtarët e Sekretariatit të tij Teknik.
Krijimi i Komitetit Rajonal shënon një hap proaktiv drejt mbrojtjes së komunitetit dhe promovimit të paqes dhe sigurisë në Qarkun e Tiranës. Me udhëheqjen e Prefektit dhe mbështetjen e Koordinatorit Kombëtar për Ekstremizmin e Dhunshëm, komiteti i sapokrijuar është gati të bëjë hapa të rëndësishëm në mbrojtjen e komunitetit dhe nxitjen e një shoqërie të sigurt dhe gjithëpërfshirëse. Komiteti pritet të zhvillojë dhe zbatojë strategji të synuara që adresojnë shkaqet rrënjësore të radikalizimit, me fokus në edukimin, angazhimin e komunitetit dhe mbështetjen për individët në rrezik.