Publisher: Cve.gov.al 17/04/2025
Publisher: Cve.gov.al 17/04/2025
Më 16 prill 2025, në Tiranë u mbajt takimi i katërt i Komitetit Drejtues të Projektit Evropian “Rritja e mbrojtjes së hapësirave publike dhe infrastruktura kritike në Ballkanin Perëndimor”, një nismë e financuar nga Komisioni Evropian dhe e zbatuar nga CIVIPOL.
Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të organizatës zbatuese CIVIPOL, përfshirë Drejtuesin e Projektit, Z. Amin Boutaghane, si dhe delegacione nga autoritetet franceze, kroate, italiane dhe greke. Gjithashtu morën pjesë përfaqësues nga gjashtë vendet përfituese të rajonit: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnia dhe Herzegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Si vend pritës i aktivitetit, Shqipëria u përfaqësua nga Drejtori i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, njëkohësisht edhe Koordinator Kombëtarë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, znj. Lejdi Dervishi, dhe Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit në DPPSH, z. Alban Dautaj. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Dervishi theksoi rëndësinë e aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të projektit si për autoritetet shqiptare dhe për vendet e tjera të rajonit.
Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet e realizuara nga tetori 2024 deri në prill 2025 dhe u raportua mbi ecurinë në secilin prej vendeve pjesëmarrëse. Po ashtu, pjesëmarrësit u njohën me planin e aktiviteteve të ardhshme për periudhën maj 2025 – shkurt 2026, të cilat synojnë të forcojnë më tej mbrojtjen e hapësirave publike dhe infrastrukturave kritike në rajon.