
Koordinatori Kombëtar për P/KEDH i Shqipërisë, znj. Lejdi Dervishi mori pjesë në Takimin e 19të të Rrjetit Rajonal të Koordinatorëve Kombëtarë për Parandalimin dhe Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm (P/KEDH) – (Regional Network of National Coordinators on Preventing and Countering Violent Extremism-RNNC).
Takimi i zhvilluar më 22 prill 2026, në Tiranë, u organizua nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me Integrative Internal Security Governance (IISG), dhe mblodhi Koordinatorë Kombëtarë për P/KEDH nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e informacionit dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Fjala përshëndetëse për palën shqiptare u mbajt nga Koordinatori Kombëtar për P/KEDH dhe Drejtori i Antiterrorit Z. Alban Dautaj, i cili paraqiti situatën aktuale në Shqipëri lidhur me Ekstremizmin e Dhunshëm dhe Terrorizmin.
Znj. Dervishi në fjalën e saj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ofroi një pasqyrë të punës së bërë nga QKEDH në lidhje me Rehabilitimin, Riintegrimin dhe Risocializimin e individëve të kthyer nga zonat e konfliktit si dhe një përditësim mbi iniciativat e ndërmarra në fushën e parandalimit. Gjithashtu, trajtoi edhe kontributin dhe punën e QKEDH-së në hartimin e Udhërrëfyesit Kombëtar të Planit të Përbashkët të Veprimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm (JAP II)
Takimi u përshëndet edhe nga përfaqësues të Bashkimit Evropian si: Përfaqësuesja e DG ENEST, znj. Olivia De Debaveye; Këshilltari Rajonal i BE për Antiterrorizmin dhe Sigurinë, z. Eddy Greif, Këshilltari pranë Koordinatorit të BE-së për Antiterrorizmin, z. Albin Slabe, si dhe përfaqësuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Davide Casale.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan situatën aktuale të sigurisë në lidhje me konfliktet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e mundshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar në rreziqet që lidhen me radikalizmin, ekstremizmin e dhunshëm që çon në terrorizmin.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu situatës në kampet e Sirisë, si dhe zhvendosjes së Luftëtarëve të Huaj Terroristë drejt Irakut, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm dhe qasje të përbashkët rajonale ndaj këtyre sfidave.
Në vijim, u realizua një raportim nga secili prej vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi masat e parashikuara në Udhërrëfyesit Kombëtarë, të hartuara në kuadër të JAP II. Diskutimet u fokusuan në progresin e arritur, sfidat e identifikuara dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin efektiv të angazhimeve të ndërmarra.
Takimi riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe harmonizimit të politikave, në funksion të forcimit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor.



