

Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH), në cilësinë e institucionit përgjegjës për koordinimin dhe zhvillimin e politikave kombëtare në fushën e parandalimit dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm (P/CVE), mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi terrorizmin, radikalizimin e të rinjve dhe P/CVE, të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasbourg më datë 26-Maj 2026.
Konferenca kishte në qendër rritjen e ndërgjegjësimit mbi përfshirjen e të rinjve në proceset e radikalizimit, si dhe identifikimin e qasjeve të reja parandaluese në kontekstin e transformimit digjital. Ajo shërbeu si një platformë dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare, institucioneve publike, sektorit privat dhe komunitetit akademik, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Konferenca u hap nga Z. Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit pranë Këshillit të Evropës, si dhe nga Z. Samuel Vuelta Simon, Sekretar Shteti në Ministrinë e Drejtësisë së Monakos, vend që aktualisht mban Kryesinë e Komitetit të Ministrave të KE.
Diskutimet u fokusuan në dy drejtime kryesore: Shkëmbimi i përvojave praktike ndërmjet profesionistëve të sigurisë, drejtësisë penale dhe parandalimit të radikalizimit mbi menaxhimin e rasteve të përfshirjes së të rinjve në ekstremizëm të dhunshëm; Forcimi i sensibilizimit strategjik në nivel politik dhe vendimmarrës për identifikimin dhe zbatimin e masave konkrete parandaluese dhe ndërhyrëse.
Në këtë kontekst, P/CVE konsolidohet gjithnjë e më shumë si një politikë ndërsektoriale dhe shumëdimensionale, që kërkon bashkërendim të ngushtë institucional dhe fokus të qartë në ndërtimin e qëndrueshmërisë shoqërore ndaj ekstremizmit të dhunshëm.